Rindërtimi dhe pandemia, Rama: Opozita qasje destruktive dhe brutale

Nga kantieri i parë i kryeqytetit në lagjen “5 Maji”, ku do të ndërtohen shtëpitë e reja të atyre që i humbën nga tërmeti, Edi Rama u hodh në një sulm frontal ndaj opozitës, për të cilën ankohet se ka një qasje destruktive dhe brutale.

“Mishërohet e gjitha në figurën, në zërin dhe në gjestet e Monika Kryemadhit, e cila bën thirrje për të shkuar në Kisha e Xhamia dhe për të mos besuar te rreziku i këtij virusi, i cili sipas saj nuk ekziston”, u shpreh Rama.

Nuk harron as kryedemokratin Basha, që fondet për kontratat koncesionare i kërkon t’i spostojë në favor të përballimit të pandemisë.

“Kush nuk ka punuar kurrë dhe kush është mësuar të flejë gjumë, Luli nuk e kupton dot se nëse ti ndalon punën, nëse ndalon investimet, nesër familje të tëra vdesin nga papunësia totale”, sqaron kryeministri.

Shqiptarëve u kërkon të kuptojnë kush janë ata që shfaqen në ekran duke u qarë hallin. 

“Për vete kanë vila në seri ndërsa për njerëzit mjaftohen thjesht duke imagjinuar kotece dhe geto. Këta janë forca të shëmtimit, të papastërtisë dhe të rrëmujës”, tha mes të tjerash kryeministri.

Rrugët e shtruara gjatë qeverisjes së kaluar të demokratëve duket se janë një nga temat që ka vendosur të riciklojë nga fushatat e kaluara elektorale.

“Dhe kur thonë ne bëmë 10 mijë km rrugë është njësoj si t’i fusësh një shumëzim hipoerbolik 7×7=42”

Ndërtimet e reja në zonën e 5 majit pritet të strehojnë rreth 11 mijë banorë, tha Rama. Në ndihmë të zhvillimit do të zonës, do të transferohen edhe zyrat e tatimeve dhe doganat, pohoi kreu i qeverisë.