Të riatdhesuarit nga Siria, Dervishi: Janë ngritur grupe që do të japin asistencë të çfarëdollojshme

Lejdi Dervishi, kreu i Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, ishte e ftuar në studion e “Ditari” në A2 ku tregoi se si do të veprohet me të riatdhesuarit nga kampi Al-Hawl në Siri.

“Qeveria shqiptare ka që në vitin 2015 që ka aprovuar strategjinë për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Ka një koordinim ndërinstitucional dhe kemi ngritur kapacitetet duke menduar se një ditë shtetasit shqiptarë do të ktheheshin. Kemi ngritur grupe që do të japin asistencë të çfarëdollojshme për këta qytetarë. Ato ofrojnë trajtim psiko-social, u janë ofruar paketa humanitare me veshje dhe ushqime dhe ofrohen edhe psikiatër për fëmijët, të cilët kanë pësuar trauma”, shpjegoi Dervishi.

“Ne po përgatitemi me të gjitha grupet multidisiplinare që të kemi një spostim të trajtimit psiko-social nga vendi i akomodimit të tyre, deri te lokalitetet ku ata jetojnë. Kjo është një punë madhore që kërkon angazhim të shumë aktorëve, me të cilët kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer”, shtoi Dervishi.

Sipas saj, “duhet të rriten kapacitetet e profesionistëve që të mos kenë vetëm njohuri për trajtimin e të miturve, por të marrin edhe njohuri bazike mbi proceset e radikalizimit”.