Viti i ri akademik, studentët në Durrës hasin vështirësi për të gjetur akomodim

Viti i ri akademik duket se do të jetë më i vështirë për studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. 70% e tyre janë nga rrethet dhe mundësia e vetme për t’u akomoduar janë banesat me qira pasi mungojnë konviktet.

Mungesa e akomodimit në qytet, duke qenë se pjesa më e madhe janë zënë nga qytetarët e mbetur të pastrehë nga tërmeti i 26 nëntorit, do i vështirësojnë vendqëndrimin e tyre. Problem mbetet edhe rritja në mënyrë artificiale e çmimeve duke shfrytëzuar këtë periudhë.

Ergi Muça është student i vitit të 3 në këtë universitet. Si çdo vit, atij i është dashur që para nisjes së shkollës të sigurojë një banesë. Në ndryshim nga vitet e mëparshme, Ergit i është dashur më shumë kohë dhe më shumë para për të siguruar një shtëpi me qira.

“Këtë vit, në krahasim me vitet e tjera, ka qenë më e vështirë. Nëse më herët e gjeja për një javë, këtë herë ka qene me shume se 2 jave. Nëse vjet gjeja një banesë me 200, sivjet është me 250, pasi ka shumë që kërkojnë banesa”.

Përfaqësuesit e agjencive imobiliare e konsiderojnë shqetësuese rritjen artificial të çmimeve. Sipas tyre, pak muaj më parë është bërë një inventar i të gjithë banesave me qira në Durrës dhe ka rezultuar se edhe apartamentet që kanë qenë në stok, tashmë janë zënë nga familjet që mbeten të pastreha nga tërmeti.

“Një apartament në periferi ishte 10-12 mijë lekë, në periferi tani është 15-18 mijë lekë. Në qendër. kjo rritje nga 20 është bërë 30. Edhe në shtator dhe tetor ka një rritje të çmimeve. Studentët kanë kërkesa për zonën e qendrës, pasi është e sigurt për banim dhe kanë mundësi punësimi”, shprehet Krenar Bardhi, Agjencia imobiliare “Remax”.

Janë rreth 20 mijë student që studiojnë në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, duke e bërë atë të dytin në vend, por deri më tani nga autoritetet nuk është marrë asnjë masë për të ndërtuar një konvikt.