Lufta “rozë” e kancerit

Maska, distancë, pandemi. Flitet çdo ditë aq sa duket se në këtë normalitet të ri nuk ekzistojnë sëmundje të tjera përveç Covid-19. Por, nuk ndodh kështu. Ato jo vetëm vijojnë si më parë, por disa sëmundje sot kanë marrë përmasat  e epidemisë. Kanceri i gjirit, kjo sëmundje po përhapet si virus në popullatën shqiptare.

Në kalendarin e shëndetësisë, tetori është rozë, muaji dedikuar diagnostikimit të hershëm të kancerit te

gjirit. Rreth 5500 raste të reja dignostikohen çdo vit, raste të cilat zënë vendin e dytë për ka përhapja

pas kancerit të mushkërive. Mbi 700 gra preken çdo vit nga ky lloj kanceri. Specialistet po vërejnë rritje të rasteve edhe te moshat e reja.

Neglizhenca ndaj kontrolleve e detyroi Marjetën nga Tirana të përballej papritur dhe në mënyrë të menjëhershme me kancerin e gjirit. Ajo është 62 vjeçe, moshë e cila përfshihet në grupin e riskut, ndonëse nuk ka pasur histori familjare.

Përballja me të vërtetën ishte tronditëse për të. Kisti në gjirin e saj ishte në faza të avancuara dhe çdo ditë që kalonte ishte një kohë e humbur për trajtim. Nuk mund të  priste procedurat e gjata dhe zvarritjet në sistemin shëndetësor, ndaj vendosi që ndërhyrjen ta kryejë në një spital privat.

Marjeta vijon betejën me kancerin, pasi trupi i saj është ende i dobët dhe i duhet të kujdeset për veten. Vështirësitë që kaloi, e bëjnë të ketë një lutje për gratë dhe vajzat.

Edhe Lumturie Qyra nga Tirana, në moshën 56-vjeçare, u diagnostikua me kancer gjiri. Asnjëherë më parë nuk kishte kryer vizitë për gjirin te mjeku. Pas shqetësimeve  konstatoi  jo vetëm masën tumorale, por edhe se ishte vonuar shumë në nisjen e trajtimit. E humbi njërin gji dhe sot vazhdon trajtimet e tjera në shërbimin e onkologjisë në QSUT. Ndihet e penduar që s’ka bëre kontrolle të rregullta më parë, ndaj sot ua kërkon të gjitha grave, të parës vajzës së saj.

Ndikim në trajtimet e kancerit të gjirit pati edhe pandemia. Ndonëse shërbimi nuk është ndërprerë, për shkak të situatës dhe frikës nga infektimi, shumë pacientë kanë shtyrë terapitë dhe mjekimet i kanë marrë përmes telefonit duke qëndruar larg spitalit. Mjekët kanë konstatuar riaktivizim të sëmundjes në disa raste.

Vitet e fundit, në shërbimin onkologjik po vihet re shtim i pacienteve në moshë të re, por me sëmundje në stadet fillestare. Për mjeken, Dhurata Tarifa, një nga faktorët është ndërgjegjësimi i kësaj grupmoshe për kryerjen e kontrolleve të gjirit. Madje, ky fakt sipas onkologes po çon në uljen e vdekshmërisë nga kanceri i gjirit.

Por, vetëm tetori nuk mjafton për depistimin e kancerit të gjirit. Vitin ardhshëm është planifikuar që kontrollet e gjirit të bëhen të detyrueshme dhe jo me fushata sensibilizuese.

Në vendin tonë janë të diagnostikuar me kancer gjiri mbi 5 mijë gra. Për të ulur sëmundshmërinë dhe për të rritur ndërgjegjësimin për kapjen e hershme të këtij kanceri nuk mjafton një muaj i vetëm. Parandalimi i sëmundjes kushton më pak se trajtimi i saj.