Pandemia anulon Halloween, festa e kthyer në traditë do të mungojë këtë vit

Publikuar më: 31/10/2020, ora 17:16
HALLOWEEN LOKALET frame 2061 1024x576

Pandemia anulon Halloween, festa e kthyer në traditë do të mungojë këtë vit

Publikuar më: 31/10/2020, ora 17:16

Të vetmet maska që do të mbahen sonte janë ato për t’u mbrojtur nga virusi, kjo pasi autoritet kanë vendosur të ndalojnë çdo organizim për festën e Halloween-it. Vitet e fundit dalja në mbrëmjen e 31 Tetorit në lokalet e kryeqytetit ishte kthyer në një traditë. Por këtë vit Halloween duket se është anuluar.

Kostumet, make-up-i, alkooli dhe muzika deri në orët e vona ishin bërë standardi i natës së shpirtrave në Tiranë. Një festë e importuar nga jashtë, por që kishte hedhur rrënjë në mënyrë të përsosur në vendin me numrin më të lartë të lokaleve për frymë, një popullsi të re dhe dashamirëse të festave.

Por pas një aksioni të mbrëmjes në ish-Bllok, strukturat e policisë kanë njoftuar se do të ndalohen organizimet e festimet, edhe pse muzika pas orës 20:00 ishte e ndaluar. E kështu duket se festa e të rinjve është prishur.

Pa një vendim të shpallur zyrtarisht, vetë baret janë të paqartë se çfarë lejohet dhe nuk lejohet të bëjnë, teksa një pjesë kanë pranuar përgjatë ditëve prenotime.

Baret rinisën aktivitetin e tyre më 18 Maj, ndërsa u lejuan të shfrytëzojnë edhe ambientet e brendshme vetëm pas 1 Tetorit. Sot xhiroja, sipas Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve është reduktuar thuajse me 40%. Vendi numëron afërsisht 20 mijë aktivitete të tilla duke zënë një pjesë të konsiderueshëm të bizneseve të vogla dhe të mesme.