Policia parandalon një vrasje në Shkodër, arreston një 20-vjeçar

WhatsApp Image 2020 10 31 at 08.40.48 600x338

Një 20-vjeçar është vënë në pranga nga policia në Shkodër, pasi akuzohet për “Vrasja me paramendim” e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

“Rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, sapo ka marrë një telefonatë se në fshatin Vrakë, në ambientet e një lokali po ndodhte një konflikt mes dy shtetasve, menjëherë ka shkuar në drejtim të adresës së dhënë. Falë reagimit në kohë, shërbimet e Policisë kanë parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit që do kishte pasoja të rënda për jetën, pasi shtetasi K. K., 20 vjeç, ka tentuar të vrasë për motive të dobëta, me armë zjarri, shtetasin J. P., 37 vjeç, banues në Shkodër, duke e qëlluar një herë me armë zjarri pistoletë, por pa i shkaktuar dëmtime trupore.

Mbërritja në kohë e shërbimeve bëri të mundur parandalimin e mëtejshëm të konfliktit, ndërkohë që 20-vjeçari, sapo ka parë Policinë është larguar me shpejtësi, por është kapur gjatë ndjekjes. Shërbimet e Policisë bënë të mundur edhe gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit pistoletë me silenciator, të cilën autori e hodhi në rrugë gjatë ndjekjes së Policisë, si dhe automjetin me të cilin ai tentoi të largohej”, thuhet në njoftimin e policisë.

Po ashtu, bëhet e ditur se policia ka arrestuar në flagrancë edhe shtetasin A. P., 45 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e lokalit në pronësi të tij, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi birre në shishe pa pullë fiskale, një tavoline pokeri, dy pako letra bixhozi dhe një pako çipsa për lojë pokeri.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë arrestuar në flagrancë edhe shtetasin J. P., 37 vjeç, për veprën penale “Organizim i lotarive të palejuara“, pasi kishte në pronësi tavolinën e pokerit që u gjet në lokalin e 45-vjeçarit.