Presidenti kërkon miratimin e nismës për referendumet: Do jetë armë në duart e qytetarëve

Ilir Meta  1100x620

Përmes një postimi në rrjetet sociale, presidenti Ilir Meta ka bërë thirrje për miratimin urgjent të nismës për referendumet, për të ndryshuar situatën aktuale në të cilën ndodhet vendi.

Sipas kreut të shtetit, ky ligj do të jetë një armë në duart e qytetarëve për të mos qenë më të pambrojtur dhe për të marrë vetë vendimin për çështjet me rëndësi.

“Kjo nismë për referendumet duhet të miratohet urgjentisht. Në mënyrë që të kemi një ndryshim drastik të situatës, dhe kjo do të ndodhë vetëm kur populli të marrë në kontroll politikanët, dhe jo kur populli të mbetet peng i politikanëve.

Ky ligj duhet të jetë arma në duart e qytetarëve të këtij vendi, që të mos jenë më të pambrojtur, dhe jo vetëm kaq, por edhe të poshtëruar, që të mos jenë më të nënshtruar ndaj arbitraritetit të çdo vendimi të marrë, por të vendosin vetë për çdo çështje me rëndësi.

Në një vend të lirë, nuk ka më mirë se demokracia direkte që i bën qytetarët të angazhohen vetë, të luftojnë apatinë, paligjshmërinë dhe vendimmarrje të llojit klientelist, për të realizuar të drejtat dhe prosperitetin e tyre”, shkruan presidenti.