1 vit nga tërmeti, çfarë ndodhi me tokën shqiptare atë mëngjes nëntori?

Toka është planeti më i mrekullueshëm deri më sot, por natyra shpesh e sfidon me fenomene të jashtëzakonshme që mbeten për shumë kohë në mendjen e njerëzimit, ndonjëherë edhe për gjithë jetën. Ky fenomen i natyrës që prej miliona vitesh i shkakton tokës fatkeqësinë më të madhe, në mënyrë krejt paradoksale, buron prej vetë tokës, fenomen që i ka shkaktuar dëme të mëdha shoqërisë globale, dëme njerëzore dhe materiale. Japonia, Indonezia, Irani por edhe Italia, Greqia dhe Turqia janë vende me aktivitet të lartë sizmik. Edhe në Shqipëri, në totalin e fatkeqësive natyrore që prekin vendin, tërmetet përbëjnë 18% të numrit të tyre. Është e freskët në kujtesën tonë, fuqia e tërmetit të 26 nëntorit 2019 ku lëkundjet e madhësisë 6.4 shkaktuan humbje njerëzore dhe dëme të mëdha materiale; plagë të cilat janë ende të pambyllura.

Në hartën e rrezikut ndaj tërmeteve, Shqipëria renditet e treta në rajon pas Turqisë dhe Greqisë, fakte të ditura që nga shekulli i kaluar. Por çfarë ndodhi me tokën shqiptare atë mëngjes nëntori? Ndërkohë që Shqipëria ende mblidhte forcat për të shpëtuar jetë njerëzore, pati dyshime dhe diskutime mbi matjen e lëkundjeve dhe rrjetin sizmik të vendit. Por si qëndron e vërteta? A u matën lëkundjet e nëntorit 2019? Lëkundjet sizmike janë fenomene që nuk parashikohen duke e bërë të vështirë mbrojtjen e shoqërisë globale ndaj tyre. E thënë në këtë mënyrë, duket sikur njerëzimi nuk mund të bëjë dot asgjë për t’u mbrojtur nga tërmetet, por nuk është kështu. Një nga specialistët më me përvojë në fushën e sizmologjisë shqiptare flet për detyrat që sizmologët kanë kundrejt shoqërisë për t’i mbrojtur prej lëkundjeve sizmike.

Nga një grup kërkimor prej 40 shkencëtarësh, në një departament me disa specialistë; a kanë sizmologët shqiptarë qasje në teknologjitë bashkëkohore dhe a mjafton rrjeti sizmik aktual për një vend me aktivitet sizmik të lartë? Çfarë kërkojnë sizmologët shqiptarë? Tërmeti i madhësisë 6.4 dhe lëkundjet që vijuan pas tij, rrafshuan disa ndërtesa dhe nxorën të pabanueshme qindra të tjera. Por, pikërisht në zonën e epiqendrës së lëkundjeve, disa ndërtesa gjigande qëndruan dhe ende janë aty në brigjet e Adriatikut.

Sipas sizmologëve dhe inxhinierëve, strukturat dhe ndërtimet që projektohen sipas Euro-Kod8, kanë performancë më të mirë ndaj lëkundjeve të forta si ato të nëntorit 2019 dhe për pasojë, struktura të tilla janë më të sigurta. Por çfarë kemi përjetuar dhe çfarë mësimesh nxorëm nga kjo fatkeqësi, ndër më të ashprat në historinë e fatkeqësive natyrore në Shqipëri?

Por çfarë ka ndryshuar në stacionet e matjeve, në modelet e vlerësimit të lëkundjeve pas ngjarjes së fundit sizmike në vend? Cilat janë disa kërkesa të specialistëve shqiptarë të sizmikës, kërkesa të ngutshme për t’u plotësuar?

Thuhet se çdo e keqe e ka një të mirë! Por çfarë të mire mund të gjejmë në një fatkeqësi pasojat e së cilës shumë banorë të zona të prekura po i vuajnë ende? Ne jemi dëshmitarë të ndihmës që ofruan fqinjët dhe vendet Europiane në nxjerrjen e trupave nga rrënojat, në vlerësimin e ndërtesave dhe një ndihmë të madhe financiare për rindërtimin e rrënojave. Megjithatë, ende sot, pjesa më e madhe e familjeve që humbën shtëpitë nga nëntori i 2019, janë në qiell të hapur. Pak prej ndërtesave ishin të siguruara pranë Kompanive të Sigurimit dhe këto, të detyruara nga kreditë nëpër banka. Po çfarë mendojnë Siguruesit në lidhje me pritjen gati 1-vjeçare për shtëpitë e rrënuar nga tërmeti? Nëse shqiptarët do i kishin shtëpitë e siguruara pranë këtyre kompanive, cilat do ishin detyrat e qeverisë dhe cilat, të kompanive të sigurimit?

Në të gjitha vendet e botës së zhvilluar, shoqëria i siguron pronat e saj ndaj të gjitha fatkeqësive natyrore. Edhe në Shqipëri, ka tentativa për ligjin e sigurimit të detyruar, megjithatë nuk është bërë asgjë konkrete në këtë drejtim. Është e vështirë që një prim-sigurimi sado i ulët, të përballohet nga shtresat e varfra të shoqërisë shqiptare.

Edhe në këtë pikë, siguruesit shqiptarë ofrojnë zgjidhje gjithmonë për të mos rënduar buxhetin e të pamundurve…