Khabib “sfidon” Macron për fjalët ndaj Islamit: Fshihet pas sloganit të lirisë dhe ofendon ndjenjat tona

Khabib macron 1100x620

Vlerësimet e presidentit  francez Emmanuel Macron për Islamin dhe radikalizmin fetar pas ngjarjeve të rënda të ndodhura në vendin e tij, kanë shkaktuar reagimin e një pjesë të mirë të botës islame, duke filluar nga presidenti turk Erdogan.

Por nuk mungojnë edhe kritika nga  personazhe të tjerë të famshëm, si ylli i MMA-së, rusi nga Dagestani, Khabib Nurmagomedov.

Mundësit të pamposhtur në sportin e tij, dhe që pas 29 ndeshjesh me fitore njoftoi tërheqjen e tij nga MMA, nuk i kanë pëlqyer aspak fjalët e Macron, që jo vetëm deklaroi se “ne nuk do të heqim dorë nga karikaturat dhe vizatimet” si ato të Charlie Hebdo, ku ishte ironizuar edhe vetë profeti Muhamed, por vijoi duke thënë se “Islami sot po përjeton kudo një krizë”.

Nurmagomedov postoi në rrjetet sociale një sulm të fortë ndaj presidentit francez. “Dashtë i madhi Zot të shpërfytyrojë atë dhe ndjekësit e tij, që pas sloganit të lirisë së shprehjes ofendojnë ndjenjat e më shumë se 1 miliard e gjysmë myslimanësh. Dashtë Zoti ta turpërojë atë në këtë jetë dhe në tjetrën” ishin disa nga fjalët e tij.