Kodi Zgjedhor, Bylykbashi: Kuvendi ka detyrim ta ndryshojë sipas “Venecias”

Ka një praktikë të mirë tek e cila Partia Demokratike mbështetet e që vjen pikërisht nga Komisioni për Demokraci përmes Ligjit. Prandaj, ajo shpreson se ai që njihet si Komisioni i Venecias do të rekomandojë ndryshimin e legjislacionit zgjedhor, që u vendos në Kushtetutën e 30 korrikut dhe Kodin Zgjedhor të 5 tetorit, duke prekur elementë të sistemit zgjedhor.

“Komisioni i Venecias thotë që i vetmi rast kur mund të kapërcehet afati 1-vjeçar para datës së zgjedhjeve dhe për të ndryshuar Kodin Zgjedhor përtej këtij afati është kur është e nevojshme ose të trajtohet një rekomandim ndërkombëtar, ose kur duhet ndrequr një situatë nën standardin ndërkombëtar që ka legjislacioni”, tha Bylykbashi.

Oerd Bylykbashi thotë se ndryshe nga ç’pretendon kryeministri Edi Rama, nëse Opinioni i Venecias rekomandon ndryshimin e ligjit zgjedhor, ky është rasti kur ai mund të ndryshojë deri më 17 shkurt: “Nëse sistemi zgjedhor në dhjetor konsiderohet në shkelje me standardin, Parlamenti duhet të ndërhyjë dhe para datës 17 shkurt të ketë ndryshuar rregullat dhe të ketë rikthyer gjendjen, që kur të regjistrohen subjektet, të paktën një pjesë e standardit të jetë arritur”.

Megjithatë, Bylykbashi tha se opozita po merr çdo masë për maksimalizimin e votës: “Do të hartojmë strategjitë dhe taktikat për maksimalizim”.

Duke krahasuar me veprimet e demokratëve në qeveri në raport me kërkesat e Komisionit Europian, Bylykbashi thotë se Rama po pengon edhe një herë tjetër integrimin e vendit: “Të gjitha kërkesat e Fyles në atë kohë pranoheshin nga ne”.

Pas marrëveshjes së 5 Qershorit që adreson rekomandimet e ODIHR, mazhoranca socialiste ndërmori me opozitën në Kuvend ndryshimin e Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor për lista të hapura dhe koalicione parazgjedhore me listë unike e jo të përbërë si deri më sot.