Nis sezoni futbollistik, Kupa e Shqipërisë, asnjë surprizë në turin e parë

Futbolli shqiptar u rikthye në fushë pa surpriza. Sezoni i ri në vend nisi me Kupën e Shqipërisë, atje ku u kualifikuan të gjitha skuadrat e Kategorisë Superiore.

Skënderbeu arriti të kualifikohet përballë Tomorit. Skuadra korçare e cila drejtohet nga trajneri Julian Ahmataj u mjaftua me vetëm një gol për të kaluar më tej. Tirana mundi pa probleme, 4-1, Shkumbinin e Peqinit. Në turin e dytë, bardheblutë do të takohen me skuadrën e Korabit.

Kukësi fitoi 5-0 me ekipin e Maliqit dhe takimi i ardhshëm do t’i vendosë përballë Besës së Kavajës. Fitore me të njëjtat shifra edhe për Partizanin që kaloi Ilirinë në turin e parë. Të kuqtë ndeshen në sfidën e radhës me Apoloninë e Fierit.

Teuta e Durrësit bëri detyrën përballë Tërbunit. Kampionët në fuqi të Kupës, fituan pastër në shifrat 4-0 me nga dy gola në secilën pjesë. Sfida e ardhshme për bregdetarët do të jetë ajo me Kastriotin. Vllaznia shënoi 7 gola në portën e Devollit për të kaluar në raundin tjetër.

Spikati gjithashtu edhe “goleada” e skuadrës së Pogradecit, që regjistroi fitoren më të thellë, 9-1 kundër Orikut. Laçi mposhti në shtëpi 3-0 Vorën. Kurbinasit do të përballen në turin e dytë me Egnatian e Rrogozhinës.

Kastrioti dhe Bylisi triumfuan gjithashtu në turin e parë. Sezoni i ri ndërkohë ka nisur në mënyrën më të keqe për Flamurtarin, skuadrën e rënë në Kategorinë e Parë. Vlonjatët vijojnë të mos gjejnë paqe edhe në nivelin e dytë të futbollit ndërsa u eliminuan nga Dinamo që në ndeshjen e parë të Kupës.

  • LAJMI I FUNDIT | Koronavirusi në Shqipëri, 16 viktima në 24 orët e fundit
  • LAJMI I FUNDIT | Koronavirusi në Shqipëri, 545 raste në 24 orët e fundit
  • LAJMI I FUNDIT | Koronavirusi në Shqipëri, 397 të shëruar në 24 orët e fundit