Para karantinimit, anglezët “tërbohen” për Halloween

Në prag të karantinimit të Anglisë për një muaj, anglezët në Londër dhe Njukasëll mbushën mbrëmjen e djeshme rrugët dhe baret.

Me maskime për Halloween, të rinjtë u grumbulluan për të pirë dhe për të krijuar skena kaotike, duke detyruar policinë që të arrestojë disa prej tyre.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson njoftoi mbrëmjen e së shtunës rikthimin e izolimit në të gjithë vendin për shkak të përmasave të mëdha që ka marrë pandemia e koronavirusit.

Shtimi i frikshëm i rasteve të reja dhe viktimave kanë detyruar kreun e qeverisë britanikë të rikthejë këtë masë shtrënguese nga java tjetër, të paktën deri në fillim të muajit dhjetor.

Në ndryshim me pranverën, ky izolim nuk do të përfshijë mbylljen e shkollave apo universiteteve.

“Nëse nuk reagojmë tani, rrezikojmë të kemi me mijëra viktima brenda disa javësh”, u shpreh kryeministri Johnson gjatë një konference për shtyp.