PD: Universitetet online, vendim antiligjor, studentët më të penalizuarit nga pandemia

26 SHTATOR 2020 PD VOKSHI frame 12511 1100x620

Partia Demokratike përmes një postimi në rrjetet sociale të ish-deputetes së saj Albana Vokshi ka kritikuar sërish vendimin e qeverisë shqiptare për të mbyllur universitetet.

Sipas saj, “një firmë drejtori ka vendosur të ardhmen e studentëve, në shkelje të çdo ligji”.

Vokshi vijoi duke shpjeguar se Ligji i Arsimit të Lartë, në nenin 59 përcakton se format e studimeve në institucionet e arsimit të lartë janë dy, studime me kohë të plotë ose me kohë të zgjatur, dhe ligji “nuk i njeh studimet në distancë (online)”.

Ish-deputetja kritikoi vendimin e qeverisë për mbylljen e universiteteve, e ardhur vetëm 3 ditë para fillimit zyrtar, duke i cilësuar studentët si “më të diskriminuarit gjatë periudhës së pandemisë. Pjesa më e madhe e tyre nuk patën asnjë mundësi të ndiqnin studimet online, nuk patën asnjë mbështetje për punësim, asnjë paketë ndihme”.