“Shikoj televizor me Schumacher”

todt schumi 1100x620

Ndërkohë që djali i tij Mick po aspiron për një vend në F1 sezonin e ardhshëm, gjendja shëndetësore e Michael Schumacher vijon të mbajë të shqetësuar tifozët e tij prej vitesh tashmë.

Informacionet kanë qenë shumë të pakta dhe vetëm Jean Todt ka qenë ai që ka zbuluar diçka nga gjendja aktuale e 7 herë kampionit të botës. Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA) ka qenë një nga personat më të afërt me ish-pilotin gjerman dhe ka folur sërish për “Kaizerin” me holandezen “De Telegraaf”.

“Schumi vijon të luftojë, bashkë me familjen e tij dhe mjekët”, tha Todt.

Por, deklarata më shpresëdhënëse është ajo që tregon se çfarë bën ai gjatë vizitës në shtëpinë e gjermanit: “E vizitoj shpesh dhe shikojmë bashkë televizor”.

Një detaj që fton për optimizëm në lidhje me gjendjen e Schumacher, edhe pse Todt nuk dha detaje. Kur u pyet nëse legjenda e F1 është i ndërgjegjshëm për karrierën sportive të djalit të tij, Todt tha shkurt: “Nuk dua të flas për çështje private”.