Basha me studentët: Më 25 prill do ta shërojmë Shqipërinë

Gjatë takimit me studentët kreu i PD, Lulzim Basha, foli dhe për situatën e vështirë që po kalon vendi për shkak të pandemisë.

Kreu i demokratëve akuzoi edhe njëherë mazhorancën se nuk ka bërë aq sa duhet për përballimin e situatës, duke pasur numrin më të ulët të testimeve dhe lënë në mëshirë të fatit pacientët që trajtohen në shtëpi, të cilët marrin ilaçe shumë të shtrenjta.

Basha u shpreh se ndihet optimist dhe se me ardhjen në pushtet, me programin e PD dhe për situatën me pandeminë, Shqipëria do të shërohet.

“Problemi i parë i madh i keqmenaxhimit të pandemisë, është mungesa e testimeve.

Inbox-i im plot me mesazhe që kanë deri në dhjetë ditë që presin të testohen dhe injorohen. Të sëmurëve në shtëpi u jepen receta që kushtojnë qindra mijëra lekë. Sa më pak testime dhe mbështetje, aq më shumë viktima do të shkaktojë COVID. Kemi testimet më të ulëta dhe shpenzimet më të larta për PPP në Europë. Na duhet sot që të gjithë kapacitetet t’i vëmë funksion në luftën ndaj pandemisë.

Qeveria duhet të ketë pajisje me mjete mbrojtëse të gjithë mjekët dhe infermierët. Qeveria duhet të mbulojë paketën e ilaçeve anti-Covid. Qytetarët po marrin kredi për të paguar ilaçet e kurës anti-Covid. Qeveria duhet të blejë tamponët, të testojë dhe të mbulojë ilaçet për të sëmurët. Të gjithë spitalet publike dhe shumica e klinikave private në kolaps nga keqmenaxhimi i pandemisë. Unë jam shumë optimist, e keqja do të marrë fund më 25 prill. Më 25 prill do të nisim ta shërojmë Shqipërinë”, tha Basha.