Koraqi në Dita Jonë: Izolimi i dytë nëse ezaurohen kapacitetet spitalore

Shefi i laboratorit të mikrobiologjisë, Andi Koraqi, ishte i ftuar në Dita Jonë ku foli rreth situatës së krijuar javët e fundit nga pandemia e koronavirusit ku janë rritur ndjeshëm rastet e të infektuarve.

Gjatë këtyre ditëve të fundit, ka pasur dhe reagime nga politika dhe kryesisht nga opozita për mënyrën sesi Komiteti i Ekspertëve, ku Koraqi është pjesë, po vepron për t’u përballur me pandeminë.

Për doktorin, lojërat politike nuk ndikojnë në punën e Komitetit, i cili është i përbërë nga ekspertë të fushës.

“Këto janë lojëra politike dhe unë nuk jam pjesë e politikës. Ruaj statusin e ekspertit dhe në Komitet ka më shumë ekspertë. Të gjithë anëtarët e komitetit kanë një ekspertizë që i kalon kufijtë e Shqipërisë. Ngacmimet e politikës që na vijnë nga jashtë mbeten po aty. Nuk janë në interesin tonë”, tha Koraqi.

Më tej, Shefi i laboratorit të mikrobiologjisë foli dhe për mundësinë e rikthimit të një karantine të dytë. Sipas Koraqit, kjo gjë mund të mendohet vetëm nëse plotësohen të gjitha kapacitetet spitalore.

“Sigurisht që situata po vjen e po rëndohet, por që pritej. Kjo situatë pritej pasi gjatë vjeshtës dhe dimrit virozat respiratore rëndohen. Këtë gjë ka pësuar dhe Sars-Cov-2. Edhe hapja e shkollave pati një impakt në shtimin e numrave, por gjithashtu dhe fillimi i të gjitha aktiviteteve të tjera ekonomike.

Karantinimi total bëhet në bazë të disa parametrave dhe kryesor është ezaurimi i sistemit shëndetësor. Ne shohim që Italia pothuajse i ka ezauruar këto kapacitete spitalore dhe për këtë arsye ka ardhur dhe ky “lockdown”. Franca, Anglia, Gjermani kanë një mbyllje gjithashtu. Te ne kapacitetet nuk janë të ezauruara. Hapëm spitalin Covid 3, kemi dhe spitalin Covid 4 dhe vetëm po u plotësuan këto kapacitete mund të mendohet për një izolim të ri”, u shpreh Andi Koraqi.