Holanda ende nuk e mbështet uljen në tryezën e parë qeveritare të Shqipërisë me BE, duke i dhënë avantazh Maqedonisë së Veriut në këtë drejtim.
Në qëndrimin e qeverisë holandeze, prezantuar nga ministri i Jashtëm, Stef Block, thuhet se “Qeveria ndan analizën e Komisionit se Shqipëria ka treguar përparim në fusha të ndryshme, por është i parakohshëm përfundimi i Komisionit se janë përmbushur pothuajse të gjitha kushtet”.
Kjo, pasi Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Larte nuk janë ende funksionale dhe duhet bërë përparim në rishikimin e ligjit për median, bazuar në Mendimin e Komisionit të Venecias.
Holanda kërkon gjithashtu dhe hetimin e dënimin e gjyqtarëve të skualifikuar nga vetingu; nënvizohet edhe qëndrimi i Komisionit se reforma zgjedhore ka adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR, por pjesa tjetër e ndryshimeve ka kaluar pa konsensus.
“Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të ndërtuar një historik solid në hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin përfundimtar të korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet. Vetëm kur kushtet e cekura në konkluzionet e Këshillit të marsit 2020 janë përmbushur bindshëm, mund të mbahet tryeza e parë ndërqeveritare”, thekson në qëndrimin e saj qeveria holandeze.
Për Maqedoninë e Veriut thuhet se tryeza mund të të zhvillohet sa më shpejt që të ketë marrëveshje mbi kornizën e negociatave. Ndër të tjera qeveria holandeze vlerëson progres në fushat e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, financat publike dhe aparatin e sigurisë që janë të rëndësishme për Holandën. (A2 Televizion)