Shtysa finale para votimit, Trump mund të shkarkojë Faucin pas zgjedhjeve

Donald Trump dhe Joe Biden bëjnë përpjekjet e fundit për të bindur votuesit amerikanë ndërsa fushatës elektorale po i vjen fundi. Presidenti vizitoi 5 shtete të konsideruara fushëbetejë në garën për Shtëpinë e Bardhë, ndërsa rivali demokrat foli në një event në Pensilvani.

Duke folur nga Karolina e veriut, Trump vendosi në dyshim integritetin e zgjedhjeve presidenciale, ndërsa komentoi vendimin e Gjykatës së Lartë për të numëruar votat me postë, të mbërritura deri në 9 ditë pas zgjedhjeve.

“Mendoj se është diçka e tmerrshme kur qytetarët ose shtetet lejohen të votojnë për një kohë të gjatë pasi zgjedhjet të kenë mbaruar. Sepse kjo mund të çojë vetëm në një gjë dhe kjo është shumë e keqe. Ju e dini çfarë është kjo? Është shumë e rrezikshme. Mendoj se është e tmerrshme kur nuk mund të dish rezultatin e zgjedhjeve natën e votimit në një epokë moderne të kompjuterit”, u shpreh presidenti amerikan, Donald Trump.

Ndërsa në tubim, la të kuptohet se mund të tentojë të shkarkojë virologun e njohur, Antony Fauci.

“Mos i tregoni njeriu, por më lini të pres deri pak pas zgjedhjeve. Unë i vlerësoj këshillat.”

Nga ana tjetër, kandidati demokrat, Joe Biden, ashpërsoi retorikën dhe sulmet ndaj Trump.

“Presidenti e portretizon veten si një njeri i fortë, ‘macho man’. Por ky është një president, i cili as nuk mundet t’i kundërvihet Vladimir Putinit. Ai është shumë i frikësuar për ta sfiduar atë. Ai është këlysh i Putin. Ky është ai. Donald Trump nuk është i fortë. Kjo më zemëron. Donald Trump nuk është i fortë, ai është i dobët”, u shpreh Biden.

Biden mban një kryesim solid kombëtar në sondazhe ndaj Trump përpara zgjedhjeve të së martës. Por avantazhi i tij është ngushtuar në shtetet kyçe, të cilat mund të përcaktojnë fituesin. Më shumë se 90 milionë amerikanë kanë votuar deri më tani, duke çuar Shtetet e Bashkuara drejt një pjesëmarrje rekord në shekullin e fundit.