Thaçi kritikon BE-në “pa njohjen reciproke, dialogu është në favor të Serbisë”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kritikoi Bashkimin Europian për dialogun me Serbinë. Ai e konsideroi të pakuptimtë dhe të dështuar procesin e udhëhequr nga Brukseli, ndërsa shtroi një kërkesë. “Zhvillimi i dialogut në rrethanat aktuale, pa vënien e njohjes reciproke në tavolinën e diskutimit i shërben vetëm Serbisë”, u shpreh Thaçi.

Këto komente, presidenti e bëri me rastin e homazheve për 31-vjetorin e rënies së heronjve të kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu. Një pretendim të ngjashëm pati edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Ditë më parë ai tha se “dialogu po e humb kuptimin dhe se po kthehet në instrument të Serbisë për të blerë kohë dhe për t’i vënë në harresë krimet e saj”.

Aktualisht bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë kanë ngecur në çështjen e Asociacionit të Komunave serbe. Beogradi kërkon që marrëveshja të zbatohet, ndërsa Prishtina insiston që njohja reciproke të jetë pikë e parë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.