Tifozët bëhen protagonistë, ura kthehet në tribunë dhe flakadanë që hidhen me parashutë

Tifozët i mungojnë futbollit, por marrëdhënia është reciproke. Edhe futbolli i mungon tifozëve dhe këtë e konfirmojnë episodet e pazakonta që kanë ndodhur gjatë kësaj fundjave. Duke nisur nga Shqipëria, e për të kaluar përtej Adriatikut, te fqinjët e Italisë.

Në epokën e pandemisë, ku ndeshjet zhvillohen me dyer të mbyllura, mbështetësit besnikë bëjnë të pamundurën të jenë pranë ekipit të tyre. Kjo ndodhi me tifozët e Partizanit, në ndeshjen e parë sezonale që të kuqtë zhvilluan në Kupën e Shqipërisë.

Fitorja 5-0 me Ilirinë është shijuar nga një grup i vogël tifozësh, që shfrytëzuan pozitën gjeografike të stadiumit në Librazhd. Duke qenë se fusha ndodhet në luginën e lumit Shkumbin, mbështetësit e pajisur me shalle e flamuj u pozicionuan mbi urë për të ndjekur ndeshjen.

E paprecedentë ajo që ndodhi në sfidën Sampdoria-Genoa, në Serie A italiane. Derbi i zjarrtë i Lanterna-s u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të Covid-19. Por, tifozët arritën gjithsesi të linin gjurmë.

Ndeshja u ndërpre për disa sekonda, sepse në fushën e stadiumit “Ferraris” ra një flakadan, të cilin ultrasit e kishin hedhur me parashutë. Një episod i padëgjuar, që konfirmon sa i mungojnë tribunat tifozëve më të zjarrtë.