A po mendohet mbyllja për shkak të pandemisë? Rama: Asgjë nuk është jashtë parashikimeve

Tirana nga larte pallatet  1100x620

Kryeministri Rama u pyet, këtë të martë, mbi pandeminë dhe masat e marra deri tani, si dhe nëse mund të ketë një izolim tjetër, qoftë edhe të pjesshëm.

“Asgjë nuk është jashtë parashikimeve. Rritja e numrave ishte e parashikuar. Ne kemi një strategji për vjeshtë-dimrin. Manastirliu ka folur çdo ditë për rrezikun e madh të valës së dytë, si rezultat i marrjes lehtë të përballjes pasi u kalua një fazë e ndërmjetme, ku gjërat u dukën sikur po shkonin drejt një normaliteti. Ne po bëjmë gjithçka dhe askund tjetër, askush, nuk po bën më shumë”.

Më tej, Rama reagoi edhe ndaj opozitës, kryesisht në lidhje me testet e kryera. Ai theksoi se në testet e kryera, çdo ditë, nuk përfshihen ato që kryhen nga spitalet private.

“Është pjesë e fatkeqësisë që një parti që pretendon të bëhet shumicë përsërit çdo ditë që spitalet janë në kolaps, përsërit çdo ditë që nuk bëhen teste. Kam pas një bisedë shteruese me ekspertët e komitetit dhe është e nevojshme që të mësohet se ne nuk i numërojmë testet që bëhen në privat, përveçse pozitive. Kjo përfshihet në statistikat e përditësuara. Numri i testeve të përditshme është vetëm ai i testeve të bëra në institucionet publike dhe ne nuk kemi teste të shpejta, jo se nuk i gjenim dot, por është parë e arsyeshme që të testohet vetëm me PCR. Testet e shpejta do të hyjnë së shpejti në proces”, tha Rama.