Amerika zgjedh presidentin, 100 milionë njerëz kanë votuar, Trump dhe Biden në shtetet kyçe

Amerikanët votojnë sot në ato që konsiderohen si zgjedhjet më përçarëse presidenciale në dekada, me presidentin amerikan Donald Trump që kërkon një mandate të dytë, përballë sfidantit demokrat Joe Biden.

Qendrat e para të votimit u hapën në orën 5 të mëngjesit në Vermont. Gati 100 milionë njerëz e kanë thënë tashmë fjalën e tyre përmes votimit të parakohshëm e me postë, duke çuar vendin drejt pjesëmarrjes më të lartë në një shekull.

 Të dy rivalët i kaluan orët e fundit të garës, në shtetet vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve. Sondazhet kombëtare i japin përparësi bindëse demokratit Biden, por në shtetet e lëkundura gara është me e ngushtë.

Trump zhvilloi një blic tubimesh në 4 fushëbeteja si Michigan, Uiskonsin, Karolinën e Veriut dhe Minesota.

 “Ky është një sondazh; këto turma të mëdha njerëzish nuk i grumbullon dikush që do të humbasë shtetin e Miçiganit. Do të kemi një fitore të madhe. Ne duam një fitore të madhe”, deklaroi presidenti.

Në Karolinën e veriut, presidenti u tha mbështetësve se 2021 do të jetë viti më i madh ekonomik në historinë e vendit, pas tkurrjes rekord prej 33 përqind.  Ndërsa në Pensilvani Trump paralajmëroi se manipulimet me votat me postë në këtë shtet mund të çonin në akte dhune nëpër rrugë.

Edhe Biden ndaloi në shtetin kyç të Pensilvanisë, ku tha se kishte ardhur koha që Trump të mblidhte plaçkat, pasi amerikanët ishin lodhur me urrejtjen, zemërimin, dështimet dhe papërgjegjshmërinë.

 “Ju premtoj se do të jem presidenti më pro-unionit që keni parë ndonjëherë. Do t’iu garantoj të gjithëve një karrige në tryezë. Zoti ju do të gjithëve!”, ishin fjalët e tij.

Në Ohajo, Biden përsëriti mesazhin kryesor të fushatës së tij, duke u thënë votueseve se raca ishte shpirti i Amerikës.  Votimi i së martës zhvillohet mes përkeqësimit të krizës së koronavirusit, me mbi 84 mijë raste të shënuara në një ditë të vetme. Frika për incidente të dhunshme pas votimit, kanë detyruar shumë biznese të marrin masa mbrojtëse.