Integrimi, Rama: Qëndrimi i Holandës, çështje e brendshme

3 NENTOR RAMA 2 frame 45407 1100x620

Kryeministri Edi Rama ka folur gjatë komunikimit me gazetarët dhe për qëndrimin e Holandës, e cila u shpreh disa ditë më parë se Shqipëria nuk është gati për tryezën e parë ndërqeveritare duke kërkuar dialog politik dhe formimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas kreu të qeverisë, ky qëndrim i Holandës nuk lidhet me gjë tjetër përveçse me çështjet e brendshme të këtij vendi. Rama shtoi se nuk e pranon dot se Holanda është më e vëmendshme për standardet nga Gjermania apo Franca.

“Me çfarë lidhet tjetër qëndrimi i Holandës përveçse me çështjet e brendshme? Nuk mund ta mendoj që Holanda është më e vëmendshme ndaj standardeve sesa Suedia apo Finlanda, Gjermania, Franca. Unë nuk e pranoj dot. Është pak e komplikuar se kaq, por nuk mund ta komentoj publikisht”, u shpreh Rama.

Në qëndrimin e qeverisë holandeze, prezantuar nga ministri i Jashtëm, Stef Block, thuhet se “Qeveria ndan analizën e Komisionit se Shqipëria ka treguar përparim në fusha të ndryshme, por është i parakohshëm përfundimi i Komisionit se janë përmbushur pothuajse të gjitha kushtet”.

Kjo, pasi Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë nuk janë ende funksionale dhe duhet bërë përparim në rishikimin e ligjit për median, bazuar në Mendimin e Komisionit të Venecias.

“Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të ndërtuar një historik solid në hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin përfundimtar të korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet. Vetëm kur kushtet e cekura në konkluzionet e Këshillit të marsit 2020 janë përmbushur bindshëm, mund të mbahet tryeza e parë ndërqeveritare”, thekson në qëndrimin e saj qeveria holandeze.