“Kemi mandarinat dhe ullinjtë në pemë”, grekët: Hapni doganat për shqiptarët

vjelje 600x338

Përgjatë orëve të fundit, duket se urgjenca për punëtorët sezonalë shqiptarë në Greqi ka arritur kulmin, madje në nivele më alarmate se para pak muajsh, kur kishte kërkesë për vjeljen e qershive dhe pjeshkëve.

Mandarinat dhe ullinjtë janë kryefjala e pronarëve grekë. Mediat greke raportojnë se vetëm në Thesproti janë mbjellë 10 mijë hektarë mandarina, ndërsa ullinjtë e Kretës dhe zonave të tjera duhen vjelë me urgjencë.

Tre kryebashkiakë grekë i kërkojnë me anë të një letre Ministrit të Mbrojtjes Civile, Nikos Hardalias, që të hapet kufiri me Shqipërinë për këta punëtorë sezonalë: “Me situatën që po kalojmë për shkak të koronavirusit, ne po sigurojmë punonjës me pagë të ulët nga Afrika, që janë të ligjshëm dhe me zell të madh për punë, por komuniteti lokal është i shqetësuar, pasi shumica e punëtorëve afrikanë dhe pakistanezë nuk i nënshtrohen testeve për koronavirus, ndërsa masat individuale të mbrojtjes për përhapjen e virusit nuk respektohen me besnikëri”.