Mediu: Presidenti duhet ta shpërndajë këtë parlament antieuropian

I ftuar në A2, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, u shpreh se kjo qeveri është kundër integrimit europian të vendit. Problemi, thotë ai, nuk është te Europa, por te Shqipëria.

“Mazhoranca ose ata politikanë që tenton t’i bëjë njerëzit budallenj janë të tillë vetë, për të mos thënë se janë më të ligë. Janë vite e vite që kjo mazhorancë vetëm gënjen në raport me procesin e integrimit. Në vend që të merret me plotësimin e detyrimeve, merret me të kundërtën e saj. Protagonistët që janë të angazhuar me shkatërrimin e shtetit shqiptar, sot dalin dhe proklamojnë problematika të Europës dhe jo problematika të Shqipërisë. Nuk ka problem Europa, problem ka Shqipëria. Është një qeverisje tërësisht e korruptuar, që ka krijuar papunësi dhe nuk krijon asnjë lloj standardi, ka krijuar proceset zgjedhore. Paralajmërimet e BE-së kanë qenë të vazhdueshme.

Rama nuk ka agjendë europiane, por vetëm agjendë personale dhe të një sekti që dalin dhe flasin në emër të tij. Ky vend ka devijim nga standardet demokratike. Afrimi me europën është ndëshkim për qeverinë e zotit Rama. Europa ka marrë dhe do të marrë qëndrimet e saj. Fatin tonë nuk mund ta lëmë në duart e kësaj qeverie”.

Kreu republikan theksoi se Presidenti Meta duhet ta shpërndajë parlamentin, që sipas tij është antieuropian dhe antikushtetues.

“Presidenti, në premtimin që ka bërë, dhe në autoritetin e tij kushtetues, duhet të shpërndajë një parlament, i cili është tërësisht antieuropian dhe antikushtetues. Duhet patjetër që të shkojmë në zgjedhje dhe opozita të organizohet për t’u përballur me manipulimin që ka përgatitur dhe vijon Rama në çdo qendër votimi. Çdo ditë me këtë qeveri është në dëm të interesave të shqiptarëve, të rrugës tonë europiane”, tha Mediu.

Por çfarë duhet të bëjë opozita në këtë situatë, sipas Mediut? “Është e domosdoshme që i gjithë lidershipi i opozitës të mos presë asnjë lëvizje racionale të Edi Ramës. Ne duhet të bëjmë analizën tonë me situatën më negative të mundshme të përballimit me procesin e manipulimit që ka filluar tashmë Edi Rama, i cili po përdor edhe truke ligjore. Opozita duhet të organizohet në çdo qendër votimi për të njohur zgjedhësit, për t’i identifikuar ata, për t’i çuar në kutitë e votimit, për të mbrojtur votën, për t’u përballur deri në fund me krimin e lidhur me pushtetin.

Qeverisja e opozitës duhet të tejkalojë atë çka duket në lidershipin e opozitës dhe të përfshijë dhe kapitale dhe vlera politike dhe njerëzore dhe energji të reja, për të krijuar një frymë të qytetarëve dhe për qytetarët”.