Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Nuk e përsërit dot 2017-n, timonier! Patozi: Mos prisni një fushatë qytetare

Nga A2 CNN
3 Nëntor 2020, 14:10 | Politikë
Nuk e përsërit dot 2017-n, timonier! Patozi: Mos prisni një

Koordinatori i “Bindjes Demokratike” Astrit Patozi i ka kushtuar një postim të gjatë fushatës elektorale që pritet të fillojë shumë shpejt në Shqipëri në lidhje me zgjedhje e përgjithshme të 25 prillit.

Mes rreshtave, Patozi iu bën thirrje qytetarëve që të mos presin një fushatë qytetare me programe e alternativa nga të dyja palët pasi kjo gjë nuk ka për të ndodhur. Ish-deputeti kërkon që të dyja partitë e mëdha të refuzohen në bllok me votë.

Sipas Astrit Patozit, të dy palët “kacafyten” për të shmangur temat e vërteta të mëdha dhe skandalet ku janë përfshirë.

Statusi i plotë i Astrit Patozit

Nuk e përsërit dot 2017-ën, timonier!

Mos prisni një fushatë qytetare, me alternativa, programe apo me ekipe dinjitoze prej 3 kuajve të lodhur të skenës sonë politike, se do të zhgënjeheni prapë. Nuk keni për të gjetur asgjë nga këto, por vetëm gallatë, barcaleta dhe batuta të ndryshkura, që gjithçka të mbetet si më parë. Ky në fakt, ka qenë edhe qëllimi i marrëveshjes famëkeqe të 5 qershorit, të cilën dikush po thotë se i qëndron deri në vdekje dhe tjetri po bën sikur po e qan.

Nuk ka nevojë të jesh profet për ta parashikuar fushatën e atyre që përfaqësojnë stanjacionin me qeverisjen e korruptuar të Edi Ramës, dhe të tjerëve, që po tundin flamurin e rreckosur të vetëm rotacionit, me argumentin se nuk lejohet të humbasësh më shumë se 8 vjet rresht.

Ndaj zero kërshëri dhe zero vëmendje ndaj atyre, që i kanë dhënë të gjitha provat dhe argumentet në këto 30 vjet, se nuk mund të vijë më asgjë e mirë prej tyre për Shqipërinë. Ashtu siç e kanë nisur do ta bitisin edhe këtë fushatë, me sharje dhe akuza, me fyerje dhe linçime, me mashtrime dhe kërcënime, duke i konsideruar zgjedhjet si frontin e një beteje për jetë a vdekje për vazhdimësinë e pushtetit të tyre personal.

Ndaj përgatituni që tani të zini veshët dhe hundët me duar, kur të dëgjoni dhe shikoni se si do t’i vërsulen njëri-tjetrit me një tërbim, që do të vijë në ngjitje me afrimin e datës së zgjedhjeve. Terminologjia që përdorin për të etiketuar njëri-tjetrin, si kur dalin nga takti, ashtu edhe kur duan të tallen, është një arsye më shumë se përse duhen refuzuar në bllok më 25 prill.

Vrasës, hajdut, xhahil, artist, gjumash, i metë, i shkalluar, imoral, delenxhi etj, mund të ngjajnë epitete të lehta, pas disa ditësh, kur ethet e fushatës të rriten. Janë të gjitha shenjat se po tentohet të përsëritet 2017-a dhe është jashtë çdo dyshimi që prej kësaj déjà vu-je përfituesi kryesor, në mos i vetmi, është Edi Rama. I cili, me sa duket, është udhëheqësi dhe orkestruesi i kësaj tendence të neveritshme për të marrë peng opinionin publik dhe për ta trajtuar atë si të dënuar me vendim të formës së prerë për të ndjekur apo votuar njërën prej 3 partive të stërkonsumuara, që i kanë bërë gjëmën Shqipërisë, në të gjitha format e mundshme të aleancave të qelbësirave, sipas Mustafa Nanos.

Ndaj edhe ata duhen ndalur në tufë, duke e nisur nga kryetimonieri lundërthyer, që po e ndjen më shumë se kushdo tjetër se po i fut ujë nga të gjitha anët anija e “Rilindjes”. Duke i lënë vetëm në logorenë e tyre, që duket sikur del nga basifondet më të errëta të shoqërisë apo nga mejhanet më të pistave të qytetit.

Ata nuk e kanë zgjedhur kot që të kacafyten kaq shëmtuar dhe të tallen me njëri-tjetrin, duke qenë unikalë në Europë dhe më gjerë për këtë “shpikje” made in Albania. Sepse i tremben përballjes me të vërtetat e mëdha për skandalet dhe zullumet e qeverisjeve të tyre, ndaj edhe u shmangen temave serioze të një fushate normale për një vend të lirë dhe demokratik.

Vetëm një apo disa alternativa të reja, që synojnë realisht ndryshimin, mund ta shmangin neverinë dhe boshllëkun, që shkakton përleshja dhe kërleshja e 3-4 gjelave të politikës primitive, të cilët gjithë këtë luftë e kanë për karriget e tyre.

Le t’i lëmë ata në zanatin e tyre të vjetër dhe t’u drejtohemi përulësisht dhe me seriozitet shqiptarëve për t’u shpjeguar dhe mbrojtur projektin e vetëm, që e nxjerr Shqipërinë nga kriza e thellë, ku e kanë zhytur ata, të cilët po tregojnë se gjënë më të mirë që mund të bëjnë sot është të na kthejnë katër vjet mbrapa.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani