Agjencia Kombëtare e Barnave reagon ndaj Bashës: Përdori politikisht “Urdhrin e Farmacistëve”

farmaci 1100x620

Pas takimit që kreu demokrat, Lulzim Basha, pati këtë të mërkurë me përfaqësues të “Urdhrit të Farmacistëve”, ka reaguar edhe Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, duke e konsideruar të pavend përdorimin “politik të urdhrit të farmacistëve”. Më tej theksohet se edhe shifrat e importimit të vaksinave antigrip nuk janë ato të publikuara nga presidentja e urdhrit

“E konsiderojmë të pavend përdorimin politik të urdhrit të farmacistëve, i cili deklaroi sot të dhëna të pavërteta në lidhje me furnizimin me vaksina të tregut farmaceutik publik dhe privat. Presidentja e këtij urdhri tha se deri më sot janë importuar vetëm 9500 vaksina antigrip, por kjo është e pavërtetë.  Faktet flasin ndryshe. Sa i përket tregut të hapur farmaceutik, pranë Agjencisë Kombëtare te Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore deri më tani janë importuar rreth 34.500 mijë vaksina antigrip, nga disa subjekte te ndryshme tregtare dhe shifra e përmendur sot është importuar nga vetëm njëri prej tyre.

Më tej theksohet se qeveria shqiptare ka mundur të sigurojë një sasi prej 368 mijë doza vaksinash. “Nga kjo sasi, në muajin shtator, janë importuar 70 mijë doza dhe pjesa tjetër importohet sipas kalendarit të paracaktuar. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore gjatë periudhës së pandemisë nuk kanë ndërprere asnjë ditë punën për t’iu përgjigjur kërkesave të subjekteve private, si atyre importuese, ashtu dhe prodhimit vendas, në mënyrë që tregu farmaceutik si publik ashtu edhe privat të mos ketë mungesa të barnave”, thuhet në reagim.