Alibeaj për drogën e kapur në Mal të Zi: Dëshmi e bashkëpunimit të qeverisë me krimin

SINK. ALIBEAJ frame 389 1100x620

Sasia prej 2.6 tonë lëndë narkotike që kaloi përmes territorit shqiptar dhe u kap në Mal të Zi, për ish-deputetin demokrat Enkelejd Alibeaj, është një dëshmi e fortë që tregon bashkëpunimin mes qeverisë dhe krimit.

Sipas Alibejat, forcat policore nuk janë më në funksion të detyrës për të luftuar krimin, por po përgatiten për të mësyrë zgjedhjet.

“Kamioni së bashku me lëndën masive të drogës ka kaluar në gjithë territorin shqiptar, prej Kapshticës e deri në Han të Hotit. Pa u shqetësuar e pa i hyrë gjemb në këmbë. Kjo ngjarje risjell edhe një herë në kujtesën e shqiptarëve vitet e errëta 2014-2017 të qeverisë Rama kur vendi u shndërrua në plantacion gjigant droge e kur sasi të tilla masive përshkonin territorin shqiptar, vite kur policia shqiptare ishte bashkëpunëtore dhe mbështetja e këtij trafiku ishte deri në rangje qeveritare.

Kjo ngjarje, e cila mbahet e fshehur nga qeveria, apo duke e kaluar me një njoftim të thatë, është provë e qartë, se qeveria e Ramës, vetëm “qimen e bardhë ka ndërruar, por zakonin nuk e ka harruar”.

Alibeaj shtoi se “Policia e shtetit e rënë në duart e njerëzve që dallohen për bashkëpunimin me krimin dhe trafiqet, nga njëra anë e kanë shpartalluar me qëllim atë, e nga ana tjetër, pasi e kanë paralizuar praktikisht, krerët e saj janë aksionerët kryesorë në trafikun e drogës”.