Ish-gjyqtarja e lartë, Fullani kundër përjashtimit 15-vjeçar nga sistemi i drejtësisë

Ish-anëtarja e Gjykatës së Lartë, Arjana Fullani, nuk i është nënshtruar procesit të vetingut, por këtë të mërkurë ajo u përball me gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Në Apel, Fullani kërkoi shfuqizimin e vendimit të KPK të korrikut 2019, përmes të cilit ajo përjashtohet nga sistemi i drejtësisë për 15 vite. Ky vendim u mor pas interpretimit të Komisionerëve të vetingut se ish-gjyqtarja e Lartë kishte hequr dorë nga statusi i magjistratësh.

Sipas Fullanit, vendimi i KPK për ndërprerjen e procesit të vetingut ndaj saj, ishte marrë në një proces të parregullt ligjor. Përmes avokates Evelina Qirjako, Fullani tha se nuk ishte njoftuar nga KPK për trupin gjykues, me të cilët mund të kishte konflikt interesi, nuk i ishin vënë në dispozicion dokumentet e përdorura nga KPK, nuk ishte dëgjuar dhe nuk i ishte dhënë e drejta për tu mbrojtur.

Vetë Fullani theksoi se kërkesa e saj nuk ishte manovër për t’u rikthyer në sistem duke shmangur vetingut.

“Përpjeka për t’i shkuar deri në fund ndryshimit të vendimit të KPK nuk ka të bëjë aspak me faktin për të ju shmangur vetingut, pasi ligji parashikon se asnjë ish-gjyqtar dhe ish-prokuror s’mund të jetë pjesë e gjykatave apo KLGJ dhe KLP pa kaluar më parë vetingun. Sanksioni prej 15 vjetësh për të mos patur të drejtën për të mos aplikuar për pozicione të caktuar më është kthyer në vështirësitë madhe në jetën e përditshme për shkak të paragjykimit, pasi mua më cilësojnë si të papërshtatshme për të ushtruar detyra si juriste”. Vendimi përfundimtar për kërkesën e saj pritet të merret në seancën e radhës, caktuar në 11 nëntor, ora 10:00.