KED kërkon ndihmë nga publiku për verifikimin e kandidaturave në Gjykatën Kushtetuese

MB PADITET KED frame 53 1100x620

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit, ka nisur zyrtarisht procedurat e verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve, për vendet vakante të shpallura nga Institucioni i Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë, për në Gjykatën Kushtetuese.

Në ligjin nr.115/2016 dhe ligjin për Gjykatën Kushtetuese, neni 7/b pika 2, etj., parashikohet se institucionet publike që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë, organizatat e shoqërisë civile me veprimtari në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose të krijuara për mbrojtjen e interesave të përdoruesve të sistemit të drejtësisë, paraqesin opinionet e tyre në lidhje me kandidaturat pranë KED.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi e konsideron këtë njoftim jo thjesht si një përmbushje të një detyrimi ligjor kundrejt publikut, pasi në përmbushje të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore KED synon të garantojë një proces të rregullt ligjor, transparent, me integritet dhe të besueshëm.

Prandaj, ky këshill është tërësisht i angazhuar të vlerësojë dhe mirëpresë kontributin e të gjitha institucioneve publike, organizatave dhe shoqërisë civile, MEDIA-s dhe publikut, për të përcjellë të dhëna dhe informacione në lidhje me kandidatët, të cilat do të shqyrtohen me vëmendje të veçantë, objektivitet dhe profesionalizëm, në funksion të verifikimit të gjithanshëm dhe sa më të thelluar të integritetit të kandidatëve, si dhe për të mundësuar përzgjedhjen mes tyre, të kandidatëve bazuar në meritat profesionale dhe morale.

Në vëmendje: Informacionet mund të dërgohen në adresën e e-mail-it [email protected]