Krasniqi: Zgjedhjet amerikane nuk do të ndryshojnë shumë në hapësirën shqiptare. Dervishi: Nuk jemi “kërthiza” e botës

Analistët Lutfi Dervishi dhe Afrim Krasniqi ishin të ftuar në A2 nga ku folën për zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara dhe politikën e marrëdhëniet mes Amerikës dhe Shqipërisë.

Krasniqi theksoi se zgjedhjet amerikane nuk do të ndryshojnë shumë në hapësirën shqiptare, pavarësisht se kush do të fitojë.

“Shqipëria është shoqëri parademokratike dhe duke qenë e tillë merret më shumë me çfarë ndodh në botë dhe jo me atë se çfarë ndodh në shtëpinë e tyre. Lajmi kryesor i ditëve të fundit është se u bllokua procesi i integrimit të Shqipërisë në BE dhe më datën 10 merret vendimi, por askush nuk flet në Tiranë për këtë gjë, të gjithë flasin çfarë ndodh në Arizona!

Nga ana tjetër, janë zgjedhjet e Amerikës ku e tërë bota i ka sytë, jo për të parë vendin më të fuqishëm, por vendin më me ndikim, në të gjitha aspektet. Shqipëria ka interes të jetë në vëmendje. Zgjedhjet amerikane nuk besoj të ndryshojnë shumë në hapësirën shqiptare dhe nuk sjellin ndonjë ndryshim kushdo që të fitojë. Ne kemi aq shumë gjëra për të mësuar dhe reflektuar, jo për t’i ngjarë amerikanëve, por për t’i përdorur momente të tilla për të reflektuar.

Nëse shikoni, jo vetëm garën e militantëve në Tiranë, por edhe garën e zyrtarëve të lartë, duke bërë statuse që në mëngjesin, ‘kemi gjithë natën pa gjumë se kush po fiton’. Liderët tanë nuk duhet t’i zërë gjumi pasi kemi disa njerëz në grevë urie prej më shumë se 20 ditësh dhe jo të mos i zërë gjumi se kush po i numëron votat në SHBA. Ky është paradoksi i madh. Kjo tregon se ne jemi një shoqëri e revolucionit kulturor kinez, kemi mendjen se çfarë ndodh në botë, jo se çfarë ndodh me ne”, u shpreh Krasniqi.

I të njëjtit mendim ishte edhe Dervishi, i cili u shpreh se Shqipëria nuk është “kërthiza e botës”.

“Pavarësisht se kush fiton, nëse në vitin 2016, amerikanët votonin për një kandidat të panjohur që ishte Trump, këtë herë atë e njohin. Këto zgjedhje janë pritur edhe me ankth e shqetësim nga shumë vende në botë. Për herë të parë pas 20 vjetësh, fati i zi, mund të vendoset në gjykatë. Kemi një lloj befasie pasi nuk jemi mësuar të shohim këto lloj shembujsh nga SHBA-ja.

Ballkani është dosja e katërt ose e pestë dhe si zor të mbërrijë në tavolinën e Shtëpisë së Bardhë. Ne nuk jemi kërthiza e botës”, u shpreh Dervishi.