Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

PD: Qeveria kundër biznesit, në shërbim të oligarkëve

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2020, 11:18 | Politikë
PD: Qeveria kundër biznesit, në shërbim të oligarkëve

Partia Demokratike, nëpërmjet Jorida Tabakut, është shprehur se “presioni i qeverisë për të shkatërruar konkurrencën në Shqipëri rezulton më e larta në total, ku thuajse 50% e bizneseve ndjejnë një kërcënim serioz nga ana e qeverisë për t’iu dorëzuar monopolit”.

“Gati 56% e bizneseve në fushën e farmaceutikës ndjejnë presionin e shtetit për t’iu dorëzuar monopolit dhe oligarkut që urdhëron qeveria. Ndërkohë që 5 nga 9 lloje biznesesh kërcënohen nga qeveria për të mbyllur biznesin apo për t’ia shitur atë një oligarku apo monopolisti. Këto shifra tronditëse janë publikuar së fundmi në raportin SELDI 2020. Një tjetër dëshmi se kjo qeveri tashmë është totalisht në funksionin të interesave të oligarkëve të saj. Faktet e publikuara thuajse në çdo raport ndërkombëtar tregojnë qartë se për 7 vite me radhë ekonomia e vendit është prekur nga sëmundja shkatërruese e monopolit dhe oligarkisë. Çdo nismë qeveritare deri më sot ka pasur vetëm një qëllim: shkatërrimin e ekonomisë së tregut dhe konkurrueshmërisë për interes të oligarkisë dhe monopoleve”, shkruan Tabaku në Facebook.

“Shteti është kthyer në zyrën noteriale që aprovon politikat fiskale të oligarkisë dhe monopoleve. Këtë e dëshmon dhe ky raport ku ligjet anti-monopol në Shqipëri kanë vlerësimin më negativ në zbatimin e tyre në rajon. 52 pikë nga 100 të mundshme - ky është vlerësimi për ligjet antimonopol të Shqipërisë në raportin e SELDI. Sektorë të tjerë me shenja të kapjes së fortë nga shteti janë tregtia me shumicë jo e specializuar, shitja e karburantit, sektori elektricitetit dhe sektori i ndërtimit i cili po përdoret masivisht dhe për pastrim parash. Qeveria e drejtuar nga Rama për gjithë këto vite nuk ka qenë miqësore me biznesin. Thuajse të gjitha raportet e Dhomave të Tregtisë, përfshirë edhe Dhomën Amerikane të Tregtisë, kanë raportuar problemin e monopolizimit. Partia Demokratike është e bindur që një nga faktorët kyç në këtë situatë lidhet me politikat fiskale dhe të taksave që ka zbatuar Edi Rama. Sot, praktikisht nuk ka më ekonomi tregu, sot jemi në një ekonomi të centralizuar ku mbijetojnë vetëm ato që vendos qeveria. Korrupsioni është oksigjeni përmes të cilit ky sistem mbahet në këmbë, një praktikë e shëmtuar që sot po vuloset me ligje, VKM dhe tendera të paracaktuar. Sot, buxheti është dhënë me koncesion te miqtë e qeverisë, kontraktorët që janë miqtë të qeverisë përcaktojnë dhe detajojnë rregullat e tregut e deri te presioni punonjësve për të votuar për partinë në pushtet”, shton Tabaku.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani