Trump: Natën po fitoja kudo, më pas shtetet filluan të “zhdukeshin” një nga një

trump 2 1100x620

Presidenti amerikan Donald Trump po sheh orë pas ore të zbehet avantazhi që në fillim të ditës zgjedhore duket sikur kishte fituar në disa shtete kyçe. Tashmë Uiskonsin dhe Miçigan, dy shtete kyçe të rëndësishme ku Trump po fitonte bindshëm, janë kthyer nga e kuqe në blu, duke i rrezikuar seriozisht rizgjedhjen.  

Dhe nervozizmi në kampin republikan po bëhet i dukshëm, teksa vetë presidenti Trump postoi pak minuta më parë një postim ku sulmon votat me postë, që po favorizojnë sipas tij në mënyrë të dyshimtë demokratët.

“Natën e kaluar po fitoja bindshëm në shumë shtete kyçe. Më pas një nga një, filluan të zhdukeshin, kur filluan të numëroheshin hedhje të befasishme votash. Shumë e çuditshme”, ishin fjalët e presidentit.

Trump shtoi edhe që “si ka mundësi që çdo herë që numërojnë këto vota përqindja e tyre është aq e tmerrshme dhe shkatërruese për ne?”.  

Postimi në Twitter i Trump u censurua sërish nga aplikacioni, si shpesh herë i ndodh postimeve të tij në mediat sociale.

Por presidenti nuk lodhet së postuari, dhe në fakt pak minuta më vonë shfaqet sërish me një tjetër akuzë. “Po punojnë fort për të gjetur 500 mijë vota për të zhdukur avantazhin në Pensilvani, siç po bëjnë në Miçigan dhe jo vetëm”, janë fjalët e tij.