Trump, presidenti pa protokoll

Pas një fitoreje të papritur, me më pak vota popullore se rivalja demokrate Hilary Clinton, por me shumicën e nevojshme të mbështetjeve në Kolegjin Zgjedhor, biznesmeni më i famshëm dhe i diskutuar i Shteteve të Bashkuara, veshi petkun e presidentit të 45-të, pa asnjë eksperiencë politike dhe ushtarake, duke promovuar mesazhin “Amerika e Para”.

Mandati i parë në detyrë erdhi mes një periudhe polarizimi politik në Shtetet e Bashkuara dhe mosfunksionimi në Uashington, duke e bërë presidencën e tij mes më kontroverseve në historinë amerikane. Ai kufizoi emigracionin, braktisi traktatet ndërkombëtare, largoi aleatët e vjetër të SHBA, nxiti ndasitë racore, vlerësoi regjimet autoritare, shfaqi respekt për kundërshtarin histroik Rusinë, reduktoi drastikisht taksat për të pasurit dhe korporatat dhe intensifikoi përplasjet me opozitën demokrate.

Trump hyri në vitin e fundit të mandatit të parë, ndërsa pandemia e koronavirusi kishte filluar pushtimin e heshtur, por vdekjeprurës të vendit, duke vrarë qindra mijëra amerikanë, e duke infektuar miliona njerëz, përfshirë vetë presidentin. Trump udhëhoqi një reagim të mangët të qeverisë kundër koronavirusit, duke e minimizuar seriozitetin e sëmundjes, duke hedhur dyshime mbi maskat mbrojtëse dhe duke parashikuar zhdukjen e papritur të patogjenit, çka sipas shumë ekspertëve të shëndetësisë e përkeqësoi krizën shëndetësore dhe koston në humbjen e jetëve njerëzore.

Duket se në prill, kur të ngrohet pak koha, ai do të zhduket si me magji. Shpresoj të jetë e vërtetë.

Kemi bërë një punë të jashtëzakonshme dhe do të vazhdojmë. Ai do të zhduket një ditë. Si një mrekulli. Do të zhduket.

Le të imagjinojmë sikur ta bombardojmë trupin me rreze ultraviolet ose një dritë shumë të fuqishme. Duket interesante… Pastaj shohim se si e vrasin dezinfektantët virusin brenda një minute, kështu mund ta injektojmë atë brenda në trup…

Trump për Covid-19

Para se pandemia të godiste si një ciklon vendin në muajin mars, Trump kishte një argument të pastër për t’u rizgjedhur. Papunësia në vlera tejet të ulëta dhe pagat më të larta kënaqën amerikanët më pak të privilegjuar, ndërsa aksionet në vlera rekord mbështetën amerikanët e pasur. Por shkëlqimi në frontin ekonomik, sfumohej në tymin e skandaleve e betejave ligjore për të cilat u bë më së shumti protagonist gjatë presidencës së tij.

Agjencitë amerikane të inteligjencës dhe një prokuror i posaçëm i emëruar nga departamenti i drejtësisë, Robert Mueller, arritën në përfundimin se Rusia ishte angazhuar në një fushatë hakerimi dhe propaganda gjatë fushatës së vitit 2016 për të trazuar ujërat në vend, për të denigruar Hillary Clinton dhe për të promovuar kandidaturën e Trump. Mueller detajoi lidhje të zgjeruara mes fushatës së Trump dhe personaliteteve ruse. Por Trump e quajti një gjueti shtrigash hetimin e FBI dhe Mueller, dhe në vitin 2018 pretendoi shfajësim total pasi raporti i Mueller nuk prodhoi dot akuza për komplot kriminal të presidentit ose fushatës së tij me Rusinë.

Por ndërsa Mueller e la të hapur mundësinë që presidenti të kishte penguar drejtësinë në përpjekjen për të frenuar hetimin, prokurori i përgjithshëm, William Barr, i emëruar nga Trump, e shfajësoi atë. “Komisioni i Posaçëm konfirmoi se qeveria ruse sponsorizoi përpjekjet për të ndërhyrë ilegalisht në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, por nuk gjeti prova se fushata e Trump apo amerikanë të tjerë bashkëpunuan me të”, deklaroi ai.

Por një sërë personash të afërt me presidentin u dënuan ose u shpallën fajtor për akuza kriminale të ngritura si pjesë e hetimeve të Mueller për Rusinë, përfshirë ish-këshilltarin e sigurisë, Michael Flynn, drejtuesin e fushatës së vitit 2016, Paul Manafort dhe këshilltarin e tij të hershëm Roger Stone. 

Presidenti hezitoi të dënonte ndërhyrjen e Moskës në zgjedhje, duke shprehur publikisht besimin tek pretendimet e homologut rus Vladimir Putin, dhe duke ngritur dyshime mbi shërbimet sekret të vendit të tij. “Presidenti Putin thotë se Rusia nuk e ka bërë. Dhe unë do të them se nuk shoh ndonjë arsye që ta ketë bërë”.

Vlerësoi Putin për lidershipin e fortë dhe inteligjencën, diçka që më vonë do ta bënte edhe me udhëheqës të tjerë autoritarë përfshirë Kim Jong Un të Koresë së Veriut. Në vitin 2019, Trump u bë i pari president në detyrë i Shteteve të Bashkuara që shkeli në Korenë e Veriut, ndërsa u takua me Kim Jong Un në zonën e demilitarizuar, por as ai e as takimet e tjera të shumë mediatizuara nuk u përkthyen dot në një marrëveshje për çarmatosjen bërthamore të shtetit komunist.

Drejtoi një politikë të rrëmujshme ndaj Kinës, ndonjëherë duke vlerësuar liderin Xi Jinping, por duke u angazhuar njëkohësisht në një luftë tregtare e duke e etiketuar koronavirusin, që e pati origjinën në qytetin kinez të Wuhanit, si ‘murtaja kineze’. “Është një sëmundje që ka më shumë emra se çdo sëmundje tjetër në histori. Mund ta quaj Kung flu për shembull…”.

Në dhjetor të vitit 2019, Trump u bë presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara që u përball me “impeachment”, pas Bill Clinton në 1998 dhe Andrew Johnson në 1868. Ashtu si dy të tjerët Trump mbeti në detyrë pasi procesi gjyqësor në senat u mbyll me shfajësimin e presidentit lidhur me akuzat e ngritura nga dhoma e përfaqësueseve, e kontrolluar nga demokratët.

Manjati i pasurive të patundshme u akuzua për abuzim me pushtetin dhe pengim të drejtësisë, lidhur me kërkesën që i kishte bërë aleatit të brishtë Ukrainës, për të nisur hetimet ndaj sfiduesit Joe Biden dhe djalit të tij Hunter. Demokratët e akuzuan Trump se e kishte vënë veten mbi ligjin dhe se nuk kishte respektuar normat e sjelljes dhe kompetencat presidenciale të përcaktuara në Kushtetutën e SHBA përmes akteve të tilla si injorimi i thirrjeve të Kongresit, cenimi i integritetit të FBI-së dhe agjencive amerikane të inteligjencës dhe refuzimi i angazhimit për një tranzicion paqësor të pushtetit nëse ai do të humbte zgjedhjet e vitit 2020.

Por edhe pse sfidoi rregullat politike, pati mbështetjen e republikanëve në kongres. Trump denoncoi globalizmin dhe e fokusoi politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara rreth motos, “Amerika e Para”. Si pasues i presidentit të parë me ngjyrë në historinë e kombit, nuk humbi kohë para se të fshinte pjesë të rëndësishme të trashëgimisë së tij.

E shkëputi vendin nga traktati ndërkombëtar për programin bërthamor të Iranit dhe ujdia globale për të luftuar ndryshimet klimatike, përmbysi politikat për mbrojtjen e ambientit dhe frenoi progresin në përmirësimin e marrëdhënieve më Kubën.

Tensionet racore u rindezën vrullshëm nën udhëheqjen e Trump, pas incidenteve të tilla si ai i vrasjes së afro-amerikanit Geogre Floyd nga policia në Mineapolis. Protestat kundër racizmit dhe trazirat civile u përhapën në shumë qytete, bashkë me brutalitetin policor, dhunën dhe plaçkitjet. Trump i quajti protestuesit, banditë dhe u duk se kërcënoi me dhunë, ku shkroi në Twitter “Kur fillojnë plaçkitjet, fillojnë edhe të shtënat”. Vendimi i tij për të nxjerrë në rrugët e Portland dhe agjentë federale me veshje ushtarake, e acaroi edhe më shumë situatën. I shumë diskutuar rasti, kur Trump dërgoi personelin e sigurisë për të larguar protestuesit paqësor pranë shtëpisë së bardhë, në mënyrë që Trump të parakalonte drejt një kishe e të pozonte me Bibël në dorë për kamerat e aparatet fotografikë.

Nismëtar i teorisë së ‘lindjes’, siç është quajtur pretendimi se ish-presidenti Obama nuk kishte lindur në Shtetet e Bashkuara, ai vijoi të gjeneronte kritika për politikat e orientuara nga personat e bardhë në një vend me numër të lartë popullsie me ngjyrë. Pasi një manifestim i supermacistëve të bardhë në Charlottesville të Virginias në vitin 2017, çoi në përleshje me kundërprotestuesit, Trump vuri shenjën e barazimit mes palëve.

Si përfaqësues i linjës së fortë kundër emigracionit të ligjshëm e të paligjshëm, Trump ndërmori masa të tilla si ndalimi i udhëtimeve nga një sërë shtetesh me shumicë myslimane, bllokimi i kërkesave për azil, reduktimi i numrit të refugjatëve që do të pranoheshin në vend dhe ndarja e fëmijëve emigrantë nga prindërit e tyre.

Teksa, njoftoi kandidaturën për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2015, Trump akuzoi Meksikën se dërgonte përdhunues dhe trafikantë drejt Shteteve të Bashkuara dhe premtoi të ndërtonte një mur përgjatë kufirit me Meksikën i cili do të paguhej nga shteti amerikano-jugor. Meksika refuzoi të paguante. Pasi kongresi i mohoi dritën jeshile për paratë e kërkuara për murin, Trump shpalli gjendjen e emergjencës kombëtare në vitin 2019, dhe devijoi fondet e lëvruara nga ligjvënësit për ushtrinë amerikane. Trump arriti të orientojë drejt së djathtës Gjykatën e Lartë, duke emëruar Neil Gorsuch në vitin 2017, Brett Kavanaugh në 2018 e më pas çoi në Amy Coney Barrett për të zëvendësuar Ruth Bader Ginsburg, e ndarë nga jeta në 2020. Administrata e tij ishte si një derë rrotulluese në pozicionet kryesore, veçanërisht në politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare, nga ku shkarkoheshin e dorëhiqeshin zyrtarë të lartë e bashkëpunëtorë të ngushtë përfshirë sekretarë shteti, këshilltarë të mbrojtjes e sigurisë dhe drejtorë të inteligjencës kombëtare dhe FBI-së.

Gjatë mandatit 4-vjeçar nuk arriti shumë sa i përket legjislacioneve madhore, edhe pse në 2017 firmosi rishikimin më të rëndësishëm të kodit fiskal në 30 vjet, përfshirë reduktimin e taksave të korporatave. Dështoi në përmbushjen e një prioriteti të madh legjislativ, atë të zëvendësimit të arritjes më të rëndësishme të paraardhësit të tij. Akti i kujdesit të përballueshëm shëndetësor, apo Obamacare, pasi senatori republikan dhe antagonisti i tij John McCain votoi kundër.

Një sërë grash e akuzuan atë për sulme seksuale, pretendime që i hodhi poshtë me ngulm. Në një audio të vitit 2005, e që u bë publike në vitin 2006, presidenti dëgjohej teksa thoshte se mund t’i prekte pa problem gratë pasi ai ishte një yll. 

Avokati personal Michael Cohen u vetëshpall fajtor ndaj akuzave që lidheshin me shantazhimin kundrejt parave, për të heshtur gratë që pretendonin lidhje seksuale me biznesmenin e kthyer në president, përfshirë aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels dhe modelen e Playboy Karen McDougal.

Trump kultivoi imazhin e një biznesmeni të suksesshëm e të aftë në lidhjen e ujdive, por të dhënat fiskale të zbuluara nga “New York Times”, sugjeronin se ai kishte raportuar vazhdimisht humbje financiare e falimentime, çka i mundësoi shmangien e taksave për vite me radhë. Sipas të përditshmes prestigjioze kreu i shtetit kishte paguar vetëm 750 dollarë taksa gjatë 2016-s dhe 2017-s.

Manjati i pasurive të patundshme dhe ish-personalitet televiziv në programe “reality show”, i lindur dhe i rritur në lagjen e Queens në New York, siguroi suportin e shumë amerikanëve, përfshirë burrat e bardhë, konservatorët fetarë, banorët e zonave rurale dhe qytetarët pa një diplomë kolegji. Shquhet për organizimin e tubimeve madhështore, të mbushura plot me mbështetës, ku thërriten slogane kundër demokratëve dhe rrjeteve mediatike.

Specialiteti i tij është vendosja e epiteteve ndaj kundërshtarëve, të tilla si “Hilary shtrembaluqja” apo “Ted gënjeshtari”. Ai përdor gjithashtu Twiter-in për postime në çdo orë të ditës dhe të natës, shpesh me gabime drejtshkrimore e përmbajtje fyese, por të suksesshme në komunikimin direkt me publikun.

I lindur më 14 qershor të vitit 1946, ai ishte i katërti i 5 fëmijëve të ndërtuesit Fred Trump. Prindërit e dërguan në një shkollë ushtarake në moshën 13-vjeçare për ta mësuar me disiplinë, por më vonë u diplomua për ekonomi në universitetin e Pensilvanisë. Si ndërtues i ri në Nju Jork, Trump mori hua 1 milion dollar nga i ati në vitet 70-të dhe u zhvendos në Manhatan, duke lënë pas blloqet e apartamenteve të cilat i kishte nën patronazh si pjesë e biznesit të familjes. Momenti i tij i artë erdhi më 1983 kur ngriti kullën Trump në Fifth Avenue. Do të vijonte me inaugurimin e një sërë godinash të tjera rezidenciale dhe zyrtare rreth qytetit e botës, ku shumica mbanin emrin e tij.

Ndërsa fama rritej bashkë me kullat, Trump u bë personaliteti që prodhonte gjithmonë tituj për tabloidet me deklaratat kontroverse dhe jetën dinamike. Në vitin 2005 u martua me modelen sllovene Melania Knauss, 23 vjet më e re se ai. Miliarderi ka 5 fëmijë nga 3 martesa, një prej të cilëve Ivankën dhe bashkëshortin e saj Jared Kushner, i promovoi në qarqet më të larta të politikës, si këshilltarët më të besuar. Që prej vitit 1988 tallej me mundësinë e kandidimit për presidencën, dhe u regjistrua në Nju Jork si demokrat, i pavarur, dhe si pjesëtar i partisë reformatore para se t’i bashkohej partisë republikane në vitin 2012.