Veliu: Strategji e re për identifikimin e parcelave me kanabis

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, tha se metodologjia e punës për gjetjen e sipërfaqeve të mbjella me kanabis ka ndryshuar.

Në bashkëpunim dhe me Guardia di Finanza, Veliu tha se tashmë policia mund të gjejë dhe parcela hashashi mes pyjeve, gjë e cila më parë ka qenë mjaft e vështirë.

Gjatë diskutimeve të projektbuxhetit në Komisionin e Sigurisë, kryetarja Ermonela Felaj tha se Ministria e Brendshme ka parashikuar në buxhet rikonstruksionin e një sërë godinash të prefekturave, por nga ana tjetër komisariatet kanë më shumë rëndësi, pasi një pjesë e tyre janë të amortizuara.

Pak ditë më parë, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj kërkoi rritje apo trajtim financiar për punonjësit e Policisë së Shtetit. Lleshaj tha se ashtu si mjekët, edhe ata janë përballur me pandeminë që nga dita e parë e saj, duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët.