Vrasja e “Presidentit” të vetëshpallur të Çamërisë, kërkime me zhytës në Amsterdam

Prej së hënës, deri pasditen e kësaj të mërkure, janë kryer kërkime të shumta me zhytës në Amsterdam të Holandës, ku vitin e kaluar u vra 43-vjeçari shqiptar Festim Lato, i cili ishte vetëshpallur si Presidenti i Çamërisë.

Mediat holandeze shkruajnë se ditën e hënë kërkimet u shtrinë në kanalin pranë Loenen aan de Vecht, pikërisht në vendin ku trupi i Latos u gjet i copëtuar në 19 korrik të vitit 2019, ndërsa këtë të mërkurë zhytësit u panë në një shtëpi në Groenlandsekade, përgjatë Vinkeveense Plassen.

Kalimtarët e rastit panë shumë oficerë policie dhe hetues me kostume të bardha, që hynin dhe dilnin nga ndërtesa. Zëdhënësi i policisë së Utrechtit nuk bëri deklarata të mëtejshme në lidhje me këto hetime.

Festim Lato ishte edhe një biznesmen që vepronte kryesisht jashtë vendit, ndërsa bënte thirrje për pavarësinë e Çamërisë, duke u vetëshpallur edhe si president i saj. Ndërkaq, gjatë hetimeve paraprake, pas vrasjes, policia holandeze përmendi edhe pistën e borxheve të shumta që Lato u kishte personave të ndryshëm.