Akuzat për krime lufte, Krasniqi: Nuk është UÇK që është në bankën e të akuzuarve, por individët

Analisti i A2, Afrim Krasniqi, ishte i ftuar në Ditarin e mesditës për të bërë një lexim të tij të situatës së krijuar së fundmi në Kosovë për shkak të dorëheqjes nga detyra të presidentit të Republikës, Hashim Thaçi.

Afrim Krasniqi e konsideroi të pritshëm reagimin e presidentit Thaçi pasi Gjykata Ndërkombëtare kaloi në akte konkrete. Sipas tij, nuk është vënë UÇK dhe lufta në bankën e të akuzuarve, por individë që duhet të përballen me drejtësinë për shkak të veprimeve apo mosveprimeve të tyre.

“Fjalimi i presidentit të Kosovës ishte i pritshëm për shkak të rëndimit të akuzave dhe kalimit në akte konkrete nga Gjykata Ndërkombëtare. Nuk është UÇK që është në bankën e të akuzuarve, janë individë që duhet të përballen me drejtësinë, të cilën vetë e kanë votuar dhe kjo është njëra anë e historisë. Problemi më i madh që ka Kosova është raporti i këtyre individëve me shtetin. Sot, largohet presidenti, kryeministri, ish-kryeministri kanë qenë nën akuzë, ish-kryetari i parlamentit po ashtu, ndërkohë që opozita parlamentare është e përçarë dhe ish-kryeministri nuk ka mbështetjen e faktorit ndërkombëtar. Dhe në këto rrethana, me një qeveri shumë të dobët, që ka një shumicë minimale, me një koalicion të brishtë politik, pa president Republike, Kosova është në një moment të vështirë dhe ndoshta që nga momenti i parë kur është krijuar si shtet.

Është e dukshme që ka abuzime si në Prishtinë dhe Tiranë. Liderët politikë që kanë kontakte në Perëndim dhe që kanë informacion mbi dosjet e dinë që nuk është UÇK në akuzë, lufta apo pavarësia. Nuk është Kosova si shtet. Janë individët ata që duhet të përgjigjen për aktet e tyre nëse i kanë kryer. Ne kemi pasur rastet e z. Haradinaj dhe Limaj. U përballën me drejtësinë, dolën të pafajshëm, u mbyll dosja dhe shpresoj se nuk do të thirren më. Kështu që duhet të ndalojmë këtë retorikë abuzive. Kosova duhet të reflektojë se kur të ketë zgjedhje presidenti apo kryeministri së paku të jenë individë që nuk do të jenë në Hagë pas 6 muajsh. Nuk mundet që shtetit të paguajë dhe koston e madhe të politikanëve të korruptuar të tranzicionit dhe Kosova nuk përbën përjashtim në këtë pikë. E shoh një moment të vështirë për Kosovën edhe përse Shqipëria është shumë e dobët” tha Krasniqi.

Më tej, Krasniqi shtoi se nuk ka asnjë komplot ndaj Kosovës. Për analistin, askush nuk mund të vërë në dilemë pavarësinë apo profesionalitetin e Gjykatës Ndërkombëtar. Sipas tij, disa nga të ashtuquajturit “heronj” të luftës së Kosovës, në kohë paqeje kur u kthyen në politikanë e kaluan “vijën e kuqe”.

“Nuk mendoj se kemi të bëjmë me një komplot ndërkombëtar kundër Kosovës. Por ajo që përbën keqardhje është se Kosova bëhet shteti i vetëm elita politike e së cilës përballet me Gjykatën Ndërkombëtare. Dhe kur përballesh me Gjykatën Ndërkombëtare je prezent në të gjitha mediat dhe kjo është një goditje e madhe për imazhin. Figurat që kanë qenë udhëheqëse në luftë dhe deri diku kanë qenë heronjtë e Kosovës, nuk kanë qenë heronj në periudhën e paqes. Ata kanë qenë si politikanët e tjerë të Ballkanit dhe ndonjëherë kanë kaluar dhe vijat e kuqe të qeverisjes edhe sjelljes. Në Kosovë, nuk mund të ketë një gjykatë të pavarur për këto akuza, është njësoj si në Shqipëri. Imagjinojeni që në Shqipëri të bëhej një Gjykatë Ndërkombëtare për korrupsionin, të gjithë këta politikanët e Tiranës do i kishim në avion për Hagë. Askush nuk mund ta vërë në dilemë pavarësinë, profesionalitetin e Gjykatës Ndërkombëtare . Do të jetë shumë e vështirë për të provuar akuzat, por procesi do të zgjasë shumë”, shtoi Krasniqi.

Në fund, analisti Krasniqi e konsideron shumë të vështirë situatën e krijuar në Kosovë për shkak të goditjes së liderëve politike, por edhe për shkakun se sipas tij, Tirana është në krizë dhe nuk mund të luajë rolin e ndërmjetësuesit.

“Do të jetë e vështirë sepse PDK nuk ka figurë drejtuese. Partia e Kurtit do të dojë kohë për të rregulluar raportet me faktorin ndërkombëtar sepse u provua si kryeministër dhe u shkarkua deri diku me një kompromis gati-gati në nivelet e larta të kancelarisë perëndimore. Kështu që, nuk ka shumë alternativa. Edhe ata që përbëjnë koalicionin qeverisë janë të brishtë dhe të njëjtë dhe nuk kanë potenciale për zhvillime të reja. Kosova ka nevojë për frymë konsensuale për momentin.

Gjithmonë kur ka pasur kriza në Kosovë, Tirana ka luajtur një rol ndërmjetësues me faktorin ndërkombëtar. Fatkeqësisht Tirana është në krizë dhe shkon në zgjedhje dhe aktorët politikë të saj nuk janë individë që promovohen dhe pranohen në kancelaritë ndërkombëtare dhe kjo do e bëjë krizën e Kosovës shumë më të madhe dhe më të dhimbshme dhe afatgjatë”, përfundoi Krasniqi.