Dorëheqja e Thaçit dhe Veselit, Haradinaj: Duhet të tregojmë unitet kombëtar

1 24 600x338

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas dorëheqjes së presidentit Thaçi dhe kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, pasi Dhomat e Specializuara në Hagë kanë konfirmuar ndaj tyre akuzat për krime lufte.

Përmes një postimi në facebook, Haradinaj shprehet se populli, por edhe liderët politikë, duhet të tregojnë unitetin kombëtar, në rrethanat e reja të krijuara.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishte faktor uniteti në vitet e krenarisë dhe sakrificës. Sot, të gjithë ne si popull, por edhe si liderë politikë, duhet të tregojmë unitetin kombëtar, në rrethanat e reja të krijuara.”

Po ashtu, Haradinaj theksoi se Thaçi, Veseli, por dhe të gjithë bashkëluftëtarët që po përballen me gjyqësinë ndërkombëtare, duhet të kenë përkrahjen e pakushtëzuar të popullit dhe të qeverisë së Kosovës.

“Presidenti Thaçi, kryetari Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarët e mi, që po përballen me gjyqësinë ndërkombëtare, duhet të kenë përkrahjen tonë dhe të qeverisë së Kosovës, pa asnjë rezervë.

Duke besuar fuqishëm se do të vërtetohet pafajësia e tyre, Republika e Kosovës do të tejkalojë faqebardhë edhe këtë sfidë.”, shkruan Haradinaj.