Dorëhiqet Hashim Thaçi

Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqjen nga posti i Presidentit të Kosovës. Në një konferencë për shtyp, ai u shpreh se është informuar se Gjykata Speciale ka konfirmuar aktakuzën.

Ai u kërkoi qytetarëve që të mos organizojnë tubime dhe të evitojnë trazirat duke premtuar se do të kthehet shpejt, pasi sipas tij, kjo nuk është një lamtumirë.

“Para pak çastesh jam informuar zyrtarisht se gjykatësi i procedurës parapake i Dhomave të Specializuara ka konfirmuar aktakuzën kundër meje. Janë këto momente jo të lehta për mua, familjen time dhe juve që më keni mbështetur. Unë do të bashkëpunoj ngushtë me drejtësinë dhe nga ky moment jam në dispozicion të drejtësisë. Sot, më shumë se kurrë, ju lus dhe ju bëj thirrje të mos e humbisni shpresën, durimin dhe besimin. Ju ftoj që të reflektojmë se sa shumë kemi fituar si komb në këto tri dekada”, tha presidenti Thaçi.

Thaçi u shpreh se aktakuza kundër tij dhe bashkëluftëtarëve është çmim i vogël i radhës që duhet të paguajnë për lirinë e vendit.

“Jam me fat që jam gjallë dhe kam përjetuar ëndrrën tonë shekullore që të bëhet realitet. Jam krenar që me bashkësinë ndërkombëtare dhe aleatët tanë kemi luftuar gjenocidin  e Millosheviqit dhe kemi fituar lirinë”, tha Thaçi.

Më herët, Gjykata Speciale konfirmoi aktakuzën edhe nga kreu i PDK, Kadri Veseli.

Në prill, Prokuroria Speciale në Hagë, paraqiti një aktakuzë për shqyrtim në Dhomat e Specializuara. Në dokumentin me 10 pika kërkohej ngarkimi i Thaçit, kryetarit te PDK-se, Kadri Veseli dhe disa personave të tjerë me “krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasje, zhdukje me forcë, persekutim dhe tortura”.