Fjalimi i parë si Presidente i Vjosa Osmanit: Shqiptarët e Kosovës janë viktimat

osmani 600x338

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë fjalimin e parë për qytetarët pas emërimit të saj.

Osmani tha se “veprimet e Dhomave të Specializuara janë rrjedhojë e obligimeve shtetërore të cilat Kosova i ka pranuar”, por shtoi se “proceset që vijnë pas nuk do ta dëmtojnë projektin tonë kombëtar për liri i cili është ndërtuar mbi sakrificën e brezave të tërë”.

“Shpreh vlerësimin për të gjithë ata që kanë treguar besim në institucionet tona dhe që u janë përgjigjur ftesave të Dhomave të Specializuara. Beteja për shtetndërtim është beteja më e vështirë. Kjo kohë kërkon lidership të fuqishëm. Ne kemi nevojë për solidaritet. Do të promovoj vlera, do të angazhohem që Kosova të bëhet shtet dhe ëndrrat e qytetarëve të jetësohen”, theksoi Osmani.

Presidentja nënvizoi se kanë qenë “shqiptarët e Kosovës” viktimat e Serbisë.

“Ne kemi qenë viktimë e hegjomonisë së një shteti gjenocidal, kurse Serbia ishte shteti që kreu këto krime. Këtë duhet ta themi çdo herë me zë të lartë këtu dhe në çdo vend tjetër. Si ushtruese e detyrës së presidentes do të garantoj funksionimin demokratik të institucioneve, do ta ruaj kohezionin institucional, stabilitetin dhe unitetin e vendit. Zoti e bekoftë Kosovën, popullin e Kosovës dhe miqtë e saj”, u shpreh Vjosa Osmani.