“Garë hapësinore” mes Rusisë dhe Amerikës, për filmin e parë të xhiruar në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës

Agjencia ruse e hapësirës, Roscosmos, pritet të nisë xhirimet, në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, për filmin e parë me metrazh të gjatë, në bashkëpunimi me kanalin më të madh televiziv të vendit, Channel One.

Megjithatë, konkurrenca është e fortë, pasi nga ana tjetër, aktori i famshëm Tom Cruise, pritet të fluturojë për në Stacionin Hapësinor, në tetor 2021, si pjesë e një marrëveshjeje me NASA dhe Elon Musk. Shumë pak dihet për filmin amerikan, përveç faktit që Cruise do të jetë pjesë, bashkë me regjisorin Doug Liman, që u bashkua me të në ISS (Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës) për të filmuar skenat e filmit.

Ndërsa në filmin rus, përkohësisht të quajtur “The Challenge”, rolin kryesor në film, sipas skenarit, mendohet se do ta marrë një “supergrua”, aktorja për të cilën do të gjendet përmes një serie audicionesh të hapura në Channel One. Aktorja duhet të jetë nga mosha 25 deri në 45 vjeç dhe me një aftësi për të interpretuar në mënyrë të përsosur letrën e Tatianës për Onjeginin në veprën e shkrimtarit të famshëm rus, Pushkinit.

Njoftimi i realizimi të filmit rus përbën kështu një garë të filmit hapësinor me perëndimin, duke garuar kundër NASA-s, Elon Musk dhe Tom Cruise. Xhirimi i filmit rus do të nisë  vjeshtën e ardhshme, në të njëjtën kohë kur planifikohet dhe filmi i Musk, madje mund të ndodhë që të dy filmat të jenë duke u filmuar në hapësirë në të njëjtën kohë.