Gjykata Speciale i konfirmon akuzat, Veseli: Tërhiqem nga të gjitha aktivitetet deri në fund të procesit

Veseli 1100x620

Radio “Europa e Lirë”, bën me dije se Dhomat e Specializuara në Hagë kanë konfirmuar akuzën ndaj kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Lajmi u konfirmua nga vetë ish-kreu i Kuvendit, i cili, mes të tjerash, njoftoi se do të udhëtojë drejt Hagës për t’iu përgjigjur këtyre akuzave.

“E vlerësoj faktin që Dhomat e Specializuara kanë treguar mirësjellje duke më nisur një ftesë për t’u paraqitur në gjykatë, në vend se të më arrestonin në mënyrë të padinjitetshme. Unë i jam përgjigjur këtij akti mirësjelljeje, duke u pajtuar që të udhëtoj këtë mëngjes për në Hagë me përfaqësues të Tribunalit, ku formalisht do të paraqitem para trupit gjykues për t’iu përgjigjur akuzave të bëra dhe për të nisur një proces të gjatë të mbrojtjes”, shkruan Veseli.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli njoftoi, gjithashtu, se ka vendosur që të tërhiqet nga të gjitha aktivitetet publike e politike për sa kohë të zgjasë ky proces.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuarit e tjerë janë penalisht përgjegjës për gati 100 vrasje gjatë periudhës së luftës.