Gjykata Speciale konfirmon aktakuzën për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin

Hage 1100x620

Gjykata Speciale përmes një komunikate për mediat, ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, që akuzohen për krime lufte.

Katër personat ndodhen tashmë në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), në Hagë.

“Gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës e konfirmoi aktakuzën kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit më 26 tetor 2020. Në pajtim me rregullën 88(2) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës, aktakuza e konfirmuar nuk u bë publike në atë moment”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.

Sipas aktakuzës, midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krime lufte si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, tortura dhe vrasjes së paligjshme si dhe zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje.

“Ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: (i) serbë, romë dhe ashkalinj; (ii) katolikë; (iii) civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë; (iv) shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; (v) shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe (vi) individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së”, thuhet më në detaj në komunikatë.

Sipas Gjykatës, “në kohën e duhur do të jepet informacion për datën dhe orarin e paraqitjeve të para të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, para gjykatësit të procedurës paraprake. Paraqitjet e para mbahen në seancë publike dhe mund të përcillen përmes transmetimit në Internet në faqen e Dhomave të Specializuara të Kosovës”.