Kontestimi i rezultateve, ekspertët: Gjykata e Lartë mund të mos ketë fjalën e fundit

Ndërsa presidenti amerikan kërkon ndërhyrjen e Gjykatës së Lartë në garën presidenciale, e cila po rezulton tejet e ngushtë, ekspertët ligjorë mendojnë se ajo mund të mos jetë arbitri përfundimtar në këto zgjedhje.

Ata thanë se ka pak gjasa që gjykatat të pranonin kërkesën e Presidentit Trump për të ndalur numërimin e fletëve të votimit që kanë arritur para ose në ditën e zgjedhjeve, apo që ndonjë mosmarrëveshje që mund të shqyrtojnë gjykatat të mund të ndryshonte trajektoren e garës në shtete të tilla si Miçigani dhe Pensilvania.

Mëngjesin e së mërkurës, ndërsa votat ishin ende duke u numëruar në shumë shtete, Presidenti Trump doli në Shtëpinë e Bardhë dhe shpalli fitoren ndaj demokratit Joe Biden. Ai e cilësoi procesin si një mashtrim të madh dhe tha se do të shkonin në Gjykatën e Lartë për të ndalur numërimin. Presidenti Trump nuk dha prova për të mbështetur pretendimin e tij për mashtrim apo hollësi se çfarë çështje gjyqësore do të ndiqte në Gjykatën e Lartë.

Më vonë gjatë ditës, fushata depozitoi padi lidhur me procesin në Miçigan, Uiskonsin, Pensilvani dhe Xhorxha. Megjithatë, ekspertët ligjorë thonë, se edhe pse mund të ketë kundërshti ndaj procedurave të votimit apo numërimit, nuk është e qartë nëse ato do të ndikojnë në rezultatin përfundimtar.

“Është ekstremisht herët, por për momentin, nuk duket se do të krijohet një situatë si ajo në vitin 2000 kur ndërhyrja e Gjykatës së Lartë do të jetë decizive”, u shpreh Ned Foley, ekspert ligjor në Universitetin e Ohajos.

Republikanët dhe demokratët po mbajnë në gatishmëri një numër të madh avokatësh për t’i përdorur nëse lind nevoja. Përfaqësuesja ligjore e Trump, Jenna Ellis, mbrojti qëndrimin e Trump.

“Nëse do t’i hymë procedurave ligjore, kjo nuk është e paprecedentë. Trump do të sigurohet që votat të mos vidhen”, u shpreh Jenna Ellis, avokate e Trump.

Çështja që ka më shumë gjasë të shkojë në duart e Gjykatës së Lartë është ajo e Pensilvanisë, ndërsa republikanët po sfidojnë një vendim për të lejuar votimet me postë të vulosura në ditën e zgjedhjeve e për të zgjatur afatin e numërimit të votave. Ndërsa më herët ka refuzuar t’i përgjigjet kërkesës së republikanëve, 3 gjykatës konservatorë lanë mundësinë e hapur për të shqyrtuar çështjen pas zgjedhjeve. Por, edhe nëse gjykata do ta shqyrtojë rastin e do të vendosë në favor të republikanëve, kjo nuk pritet të ndikojë në votën përfundimtare ne Pensilvani. Pastaj, nëse siguron 270 votat elektorale pa pasur nevojë për Pensilvaninë, mundësia për një betejë ligjore në këtë shtet, venitet.