Kostot e biznesit, qeveria miraton ndihmën 4 000 lekë për punonjës

Qeveria do t’i japë bizneseve me më pak se 250 punonjës 1,5 milionë euro për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të pandemisë. Ndihma do të prekë vetëm ndërmarrjet prodhuese të vogla e të mesme dhe do të shpërndahet në bazën e numrit të punonjësve të regjistruar në listëpagesat e muajit qershor.

Shuma fikse për punonjës do të jetë 2 000 lekë në muaj dhe do të paguhet vetëm për dy muaj: nëntor dhe dhjetor 2020. Pra, në një total prej 4 000 lekë për punonjës.

Kështu, një ndërmarrje në një industri me 100 punonjës mund të përfitojë nga skema deri në 400 000 lekë. Kjo shumë do të subvencionojë kostot e përshtatjes me protokollet e sigurisë, si pajisja me maska dhe doreza, veshjet speciale, alkooli, termometrat digjitalë dhe dezinfektimet periodike.

Në mungesë të një pakete të tretë, apo plotësimit të kërkesave specifike të bëra nga industri të ndryshme, kjo është një nga masat e vetme që ka ndërmarrë qeveria pas rihapjes, së bashku me programin për ripunësimin e personave të larguar nga kompanitë përkatëse gjatë pandemisë.