NBA cakton datën e nisjes, lojtarët shkurtojnë pagat

lakers 600x338

NBA nis më 22 dhjetor. Krerët e Ligës së Basketbollit në Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord pas disa mosmarrëveshjesh për ta nisur kampionatin e ri të basketbollit në periudhën e Krishtlindjes.

Stërvitjet do të nisin prej datës 1 dhjetor dhe sezoni i rregullt do të jetë i njëjtë, me 72 ndeshje. Ajo që do të jetë ndryshe nga vitet e kaluara është fakti që basketbollistët do të shkurtojnë pagat e tyre për dy vite deri në 18% dhe ato do t’i dorëzohen NBA. Kjo do të bëhet sipas një dakordësie mes palëve, me krerët e basketbollit të cilët kanë kërkuar ndihmë nga yjet për të plotësuar humbjet e shkaktuara muajt e fundit nga pandemia, por edhe për vështirësitë që paraqiten për sezonin e ri.

Bëhet fjalë për një shumë prej rreth 800 milionë dollarësh të cilat NBA do t’ia rimbursojë brenda dy vitesh. Për shembull, të ardhurat e yllit të Lakers, Lebron James do të reduktohen nga 39,2 në 32,2 milionë dollarë në vit.

Akordi i arritur pritet të ratifikohet brenda kësaj fundjave.