Pandemi pa drejtësi, COVID-19 “kaplon” gjykatat e vendit, pezullim pune dhe shtyrje seancash

Pandemia Covid-19 mund të rrezikojë një mbyllje të dytë totale të gjykatave në vend. Gjatë ditëve të fundit, për shkak të infektimit nga virusi të gjyqtarëve e prokurorëve, por edhe punonjësve të administratës, një sërë gjykatash kanë pezulluar veprimtarinë e tyre për afate kohore që shkojnë deri në tri javë.

Deri më tani, në këtë situatë ndodhet Dhoma Civile e Gjykatës së Tiranës, Apeli Administrativ, Gjykata e Apelit Vlorë dhe Gjykata e Durrësit. Në to zhvillohen vetëm seancat me karakter të ngutshëm, si masat e sigurimit, sekuestrot, apo kërkesat me afate të përcaktuara kohore.

Në vështirësi ndodhet edhe Gjykata e Posaçme, ku tre gjyqtarë, nga nëntë anëtarë të trupës në total, janë të infektuar dhe të karantinuar.

Avokati Bledar Meminaj

Situata ka çuar në zvarritje të proceseve gjyqësore, çka ka ngjallur shqetësim te personat që gjykohen me masën arrest në burg, nga ana tjetër vonesa mund të çojë në skadencën e masës se sigurisë që gjykohen për këtë masë.

Ndërkohë masa e sigurisë “arrest në burg” vijon të jetë më e zakonshmja për personat që arrestohen, si të dyshuar për krime.

“Në të gjitha Gjykatat europiane në raste pandemie i marrin të paraburgosurit duke i çuar në një regjim, arresti shtëpie, masë që nuk është diskriminuese”, thotë për A2, avokati Bledar Meminaj.

Infektimet me COVID-19 kanë ngadalësuar punën në disa prokurori, mes të cilave atë të Posaçme, SPAK, ndërsa puna është pezulluar edhe në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.