Planifikonin sulm me thikë ndaj policëve, arrestohen dy adoleshentë në Belgjikë

policia belgjike 600x338

Dy djem adoleshentë, njëri 16 dhe tjetri 17 vjeç, janë arrestuar në Belgjikë me akuzën se po organizonin një sulm me thikë ndaj policëve.

Të rinjtë u arrestuan të shtunën në qytetin Eupen, pranë kufirit me Gjermaninë. RTBF publikon se adoleshentët kishin regjistruar veten duke u betuar për besnikëri ndaj ISIS-it.

ISIS mori përsipër sulmin terrorist të Kujtim Fejzullahit në Vjenë të Austrisë, mbrëmjen e së martës, si pasojë e të cilit vdiqën 4 persona.

Belgjika ka qenë edhe më parë shënjestër e ISIS-it, kur në mars të vitit 2016 disa kamikazë vranë 32 persona dhe plagosën 340 të tjerë në disa shpërthime në aeroportin e Brukselit dhe në një stacion metroje në kryeqytetin belg.

Në maj të vitit 2018, një burrë i radikalizuar vrau dy policë dhe një student në një tjetër sulm të marrë përsipër nga ISIS.