Projektbuxheti, Rama: Po rindërtojmë me ritme të jashtëzakonshme, nëse votoni Lulin, merrni peshqesh Ilirin dhe Monikën

Në parlament diskutohet sot në parim projektbuxheti për vitin 2021. Ministrja e Financave, Anila Denaj, mbrojti buxhetin dhe kërkoi votën e deputetëve, për atë që e quajti buxhetin e përmirësimit të ekonomisë shqiptare.

Në seancën e kësaj të enjteje në parlament është duke u diskutuar në parim projektbuxheti për vitin 2021. Në fjalën e tij, kryeministri Rama foli për ecurinë e ekonomisë që prej firmave piramidale. Ai u shpreh se opozita e sotme është po e njëjta me atë të asaj kohe.

“Praktikisht, kush sot kërkon të rikthehet në krye të punëve të vendit është i pandashëm nga e kaluara. Nga e kaluara pak më e largët dhe më e afërt, nga e kaluara kur shqiptarët u gjendën në humnerë pasi u nxitën të investojnë paratë e tyre me motivin jep një dhe merr dy dhe shumë më pas kur Shqipëria u gjend, në 2013, pasi bëri zgjedhjen e duhur për t’i larguar nga detyra të njëjtët njerëz me të njëjtën gropë borxhesh. Sot, janë të njëjtët njerëz, por me të njëjtën formulë, jep një të marrësh 3.

Ftoj shqiptarët të votojnë për Lulin dhe të marrin peshqesh Metën, bashkë me Monikën, se Saliu udhëheq lepurin në luftë. S’kemi pse fshihemi pas gishtit. Sot, Shqipëria, pavarësisht se ka kaluar një goditje që do të kishte gjunjëzuar shumëkënd dhe se do të kishte fundosur vendin në rast se në krye të vendit do të ishin ata që shajnë, e çorodisnin. Sot, jemi në kushtet ku po rindërtojmë me ritme jashtëzakonisht të larta”, u shpreh Rama.

Më tej, kryeministri theksoi se buxheti i sotëm është buxheti i një force politike që nuk i ka bërë bisht dy krizave, një goditje nga tërmeti dhe një goditje që ka goditur të gjithë planetin.

Rama u shpreh se me këtë buxhet do të ketë rritje të pagave, duke përmendur bluzat e bardha dhe mësuesit. “Me këtë buxhet ne bëjmë një rritje pagash që nuk e bën asnjë vend në rajon, është një angazhim që kur merret është aty për të gjitha vitet, 40% rritja e pagave për bluzat e bardha. Nga 1 janari dhe në vazhdim është aty, nuk ikën me Covidin dhe nuk vjen me Covidin. Edhe rritja e pagave për mësuesit është aty, angazhim për sot dhe për të ardhmen. Këto janë angazhime të mëdha, në kushtet kur ne jemi sit ë gjithë të tjerët me kaq shtrëngesa nga pandemia dhe tërmeti”,