Zgjedhjet në SHBA, vijon numërimi në shtetet kyçe, Trump konteston rezultatin

Joe Biden bën një hap më shumë drejt Shtëpisë së Bardhë. Sipas projeksioneve të “Associated Press” dhe CNN kandidati demokrat ka fituar Uiskonsin dhe Miçiganin, duke arritur vlerën e 253 vota zgjedhore, nga 270 që nevojiten për të siguruar presidencën. Por, demokrati duhet ende të fitojë Nevadën dhe Arizonën, ku vijon të kryesojë, ndërsa numërimi po i afrohet fundit. Gjatë pasdites, ish-numri dy i Barack Obama-s u shfaq së bashku me zëvendësen e tij, Kamala Harris, duke thënë se pasi të numërohen të gjitha votat, fitorja e tyre do të ishte e qartë.

“Pas një nate të gjatë numërimi, është e qartë se ne po fitojmë mjaftueshëm shtete për të siguruar 270 votat e nevojshme zgjedhore. Nuk jam këtu për të shpallur fitoren, por për të thënë se kur numërimi të përfundojë ne besojmë se do të jemi fituesit”, u shpreh Biden.

Biden ripërsëriti mesazhin e tij gjatë fushatës se nëse do të zgjidhet do të jetë president i të gjithë amerikanëve. Rezultatet përfundimtare të Miçiganit dhe Nevadës me shumë gjasë do të mësohen sot, ndërsa Pensilvania do të numërojë deri të premten në 6 nëntor. Trump është ende në garë, por duhet të tejkalojë Biden në Nevada dhe Arziona, e të fitojë gjithashtu Xhorxhan, Pensilvaninë dhe Karolinën e Veriut ku është në avantazh.

Fushata e Trump tha se presidenti do të kërkojë zyrtarisht rinumërim të votave në Uiskonsin, ndërsa citon parregullsi në disa konte. Rezultatet paraprake sugjerojnë se diferenca mes Trump dhe Biden në Uiskonsin është më pak se 1 për qind, çka lejon një kandidat të kërkojë rinumërimin. Fushata ngriti padi edhe për ndërprerje të numërimit në Micigan, pasi pretendon se i është mohuar qasja për të vëzhguar hapjen e kutive dhe numërimin.

Në Detroit të Miçiganit, policia u thirr gjatë pasdites për të ruajtur hyrjen në një qendër votimi ndërsa disa protestues jashtë, kërkuan akses për të monitoruar procesin. Fushata e Trump ka depozituar dy padi edhe në Pensilvani për të ndërprere numërimin atje, për shkak të asaj që e konsideron si mungesë transparence. Në Xhorxha, sipas fushatës Trump, një vëzhgues republikan kishte dëshmuar hedhjen e rreth 53 votave të paligjshme. Protesta po zhvillohen në shumë prej shteteve ku numërimi vazhdon.